Muli pati sot një falenderim special për Lelon, që u tregua vigjilent dhe i preu Doktorit internetin në një moment të vështirë.
Ndërsa Doktori po lexonte deklaratën e tij dhe po bashkëbisedonte me gazetarët, duke iu përgjigjur interesit të medias në lidhje me qëndrimet e tij për protestën dhe se çfarë do të ndodhë në ditët dhe javët e ardhshme, pati një ngërç.
Lelo e kuptoi që Doktori ishte në vështirësi se çfarë do thoshte.
Nuk mund të zbulonte planet e tij dhe as të dukej keq para gazetarëve.
Hoqi me urgjencë fishën e internetit dhe lidhja u ndërpre.
Pastaj i shkruajti Doktorit se e hoqi ai, të mos bëhej merak, dhe kur të rilidhej ta denonconte si akt të Edi Ramës, që u tmerrua nga plani i Doktorit.
-Të përgëzoj, i tha Doktori. Ke ndërhy në një moment deciziv.
Lere se tani e sqaroj unë.
Pas kësaj falenderoi dhe Mulin për vëmendjen që tregoi Lelo.
-Ke bërë një gjë të madhe, i tha Muli.
Duhet ta aplikojmë dhe herë të tjera këtë.
Fjala vjen një herë tjetër duhet të heqim dritat, një herë prape internetin.
Duhet të krijojmë idenë që ata nuk e lënë të shprehet i lire, pasi e trajtojnë si të burgosur.
-E kam parasysh, tha Lelo.
I vetmi hall kam kur mban fjalime dhe i ka të shkruara se nuk pushon, s’ka pauza dhe s’di ku ta ndalojë.
-Aty lere, tha Muli, se nuk ka pyetje. Puna është kur ka pyetje.
-Po dhe për pyetjet i kam marrë masa, tha Lelo.
Nga katër gazetarë që vijnë në konferencë, tre janë anëtarë të Këshillit Kombëtar, një është kandidat.
Por puna është se ata besojnë ato që thotë Doktori dhe pyesin me sinqeritet, duke e vënë në pozitë të vështirë.
Ndaj më duhet t’i pres internetin herë pas here.
-Sot na ke shpëtue, tha Muli. Doktori të falenderon.