Ish-funksionari i lartë i Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si partitë dhe politikanët kryesorë në vend po bëjnë politikë.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Xhafa e ka cilësuar përmbysjen e regjimit komuniste në vitet ‘90 si revolucion borgjezo-socialist që instaloi në Shqipëri sistemin borgjez kapitalist, që sipas tij, është i padobishëm për qytetarët shqiptarë. Në këtë kontekst, ish-funksionari i PPSH ngriti alarmin se shumica e qytetarëve shqiptarë janë të varfër për shkak të klasës politike me orientim kapitalist.
Duke komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike, zoti Xhafa shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë komunist dhe madje sekretar partie, deklaratë kjo që rrëzon ish-liderin demokrat që pretendon se nuk ka pasur asnjë lloj ofiqi në kohën kur Shqipëria drejtohet nga Enver Hoxha.
Po ashtu, zoti Xhafa akuzon ish-kryeministrin Berisha se ka bashkëpunuar me Ramiz Alinë, i cili sipas tij, e ndihmoi atë të rrëzonte regjimin në vitet ‘90. Nga ana tjetër, ish-funksionar i lartë i Partisë së Punës së Shqipërisë ka kritikuar edhe politikat e ndjekura nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste, teksa shprehet se ky binom ka tradhtuar idealet sidomos LANÇ-in.
-Zoti Xhafa, pas pushimeve të verës kanë rinisur debatet politike në vend. Duke qenë se ju i ndiqni zhvillimet dhe i keni komentuar ato, deshëm të bëjmë një intervistë disi ndryshe me ju. Duke qenë se ju keni jetuar në të dyja regjimet dhe po ashtu e keni njohur situatën politike në regjimin komunist, si e shihni gjendjen sot në politikën shqiptare?
Për mendimin tim, gjendja e politikës në Shqipëri është rrëmujë. Sepse i tërë vendi është rrëmujë, rrumpallë. Në fakt, ajo ka qenë e tillë, që prej 30 vitesh, që nga përmbysja me kundërrevolucion borgjez e socializmit në Shqipëri dhe vendosja e sistemit borgjez kapitalist. Kudo sundon ashpër borgjezia mbi klasën punëtore, mbi fshatarësinë dhe mbi masat e tjera të popullit. Presioni psikologjik e demagogjia e borgjezisë janë stresuese! Dhe më parë kam thënë se rendi socialist nuk ishte pa gabime, pa të meta e dobësi, po ai sistem s’krahasohet dot me sistemin e sotëm kapitalist borgjez, ishte shumë më i dobishëm për masat e popullit, se sistemi borgjez kapitalist është i mirë për borgjezinë, jo për popullim.
Populli e ka kuptuar një gjë të tillë, por do ta kuptojë më mirë nesër. Mund të sillja plot shembuj se sa i egër është kapitalizmi për popullin. Por po përmend vetëm çështjen e pensionistëve! E di që kjo çështje, për t’u bërë e qartë, kërkon një intervistë më vete, por, po theksoj, se të jetosh me hallet e nevojat e pensionistëve, që janë mbi 650 mijë vetë, një njeri normal bindet se ç’palo politikë ka, sundon, në Shqipëri.
Në një vend ku shumë njerëz lypin rrugës për bukën e gojës, ku punëtori paguhet me rreth 200 euro në muaj, ku çmimet e ushqimeve bazë janë jashtë kontrollit të shtetit, ku milionerët e oligarkët bëjnë ligjin dhe janë bërë të pasur, duke përvetësuar e vjedhur pasurinë e popullit, ai vend ka mbaruar.
-Pas zgjedhjeve të 25 prillit, kemi një Parlament të ri, ndërkohë duket sikur vijon avazi i vjetër i konfliktit PD-PS…
Shiko, pas zgjedhjeve të 25 prillit vendi ynë ka vërtet një Parlament tjetër, të dalë prej atyre zgjedhjeve, po nuk mund të thuhet se është një Parlament të ri në kuptimin e saktë të fjalës, sepse ky, Parlamenti i sotëm, i ri, siç thatë ju, në përmbajtje është po aq i vjetër sa Parlamentet e mëparshëm.
-C?farë mendimi keni për Partinë Socialiste dhe për qeverinë?, duke qenë se ju dikur keni bashkëpunuar me këtë parti si kryetar i një force politike?
Partitë e tipit komunist m-l, kur ata e gjykojnë me vend, mund edhe të marrin pjesë në zgjedhjet për parlamentin e një vendi ose në zgjedhjet për organet e pushtetit lokal të tij më vete ose në koalicion me forcat e tjera të majta, por asnjëherë në koalicion me forcat e djathta borgjeze. Dhe ne kemi vepruar kështu. Me forcat e djathta nuk kemi bërë ndonjëherë koalicion zgjedhor. Sa mbaj mend nga historia, në Parlamentin e kohës së Carit kishte një grup komunist deputetësh, në të cilin bënte pjesë edhe J. V. Stalini.
Pra, ajo që kemi bërë ne ka qenë në përputhje me përvojën marksiste-leniniste. Ju më pyesni se ç’mendim kam për PSSH-në dhe qeverinë e saj. Ja, po ju them: PS-ja është një parti borgjeze dhe qeveria e saj është gjithashtu qeveri e borgjezisë! Ato që të dyja janë në shërbim të borgjezisë, jo të popullit. Sa oligarkë ka në gjiri e saj dhe që e mbështesin atë, unë këtë nuk e di, po di të them se organet e drejtësisë duhet të merren me këtë gjë, jo se organet e drejtësisë nuk varen nga borgjezia në fuqi, po se diçka më mirë mund të bëhet.
E di që shumë njerëz thonë se PS-ja është parti komuniste, duke hequr paralele me Partinë e Punës, me që PS-ja ka dalë nga PP-ja në kongresin e 10-të të kësaj, por ata gabojnë rëndë, sepse partitë vlerësohen në radhë të parë nga programi që kanë, jo nga emrat që mbajnë. Madje PS-ja e sotme nuk është as PS-ja e dalë nga ai kongres. PS-ja ka shkarë djathtas!
-Po për Partinë Demokratike çfarë mendimi keni? Si e shihni situatën e saj sot?
Partia Demokratike e Shqipërisë është po parti e borgjezisë, veçse parti e borgjezisë së madhe, të pasur. Me fjalë ajo thotë se është parti demokratike, po në fakt është parti borgjeze e djathtë dhe nuk ka në të kurrfarë demokracie të vërtetë. Madje nuk ka demokraci as në radhët e saj.
-Një zhvillim i bujshëm është ai i shpalljes “non grata” të Sali Berisha nga SHBA, si dhe përjashtimi i tij më pas nga grupi i deputetëve të PD. Si i keni parë këto zhvillime? Berisha ka ndërmarrë një tur takimesh dhe shpesh artikulon shprehjen “ta rrëzojmë Edi Ramën si komunizmin”, po ashtu ka deklaruar se ky është regjimi më i keq pas atij të Enver Hoxhës. Pse komunizmi e komplekson ish-kryeministrin?
Po përforcoj çfarë thashë më lart: që në PD nuk ka kurrfarë demokracie! Po të kishte PD-ja demokraci nuk do ta shihnim Berishën në media, duke bërtitur me të madhe, për mbrojtjen e PD-së! Ndaj zhvillimet në PDSH i shoh si shenja të degradimit dhe të shkatërrimit në vijim të saj, ndonëse nuk ka qenë kurrë Parti Demokratike, po një lëvizje kaotike e shkatërrimtare.
Unë nuk kam të dhënat e duhura të them se a bëri mirë a bëri keq kryetari juridik i PD-së, Basha, që e përjashtoi Sali Berishën nga grupi i deputetëve të PD-së, po mund të them se kjo ka ndodhur për arsye se PD-ja është një parti rrumpallë! Prej kohësh Berisha duhej të ishte vënë prapa hekurave, por ka qëndruar deputet i Kuvendit të Shqipërisë, President e Kryeministër i saj, i lirë, sepse është mbrojtur nga SHBA-të, nga Nano, Basha, Rama e të tjerë. Ndaj them se turi i takimeve të Sali Berishës nëpër rrethe është një përpjekje për t’i bërë presion popullit,
Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, që ata ta marrin sërish në mbrojtje si dikur, mbasi e lanë vetëm në pleqëri! Lojë horrash! Deklaratat e Berishës “për rrëzimin e Edi Ramës ashtu si komunizmin, se regjimi i tij është regjimi më i keq pas atij të Enver Hoxhës” janë “p… me rigon”! Së pari, socializmin në Shqipëri nuk e rrëzoi Sali Berisha me Partinë Demokratike, po e rrëzoi tradhtia nga brenda e Partisë së Punës së Shqipërisë me Ramiz Alinë në krye dhe reaksioni ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye.
Po të ishte për Sali Berishën dhe PD-në, pushteti i popullit i bënte ata zap për 3 minuta! Së dyti, i trembur deri në kockë, Sali Berisha po i bën thirrje Amerikës që ta falë, pra po i kërkon falje asaj, duke i kujtuar se i ka bërë të gjitha ato që thuhen për të, po që nuk i duhen harruar as ato çfarë ai me shokët e miqtë e tij ka bërë kundër popullit, vendit e socializmit në Shqipëri!
Së treti, Sali Berisha “harron” se Amerikës i duhet populli shqiptar, më saktë, hapësira shqiptare dhe se ajo nuk do të dijë as për Nanon, as për Berishën, jo e jo për Metën, as për Bashën, as për Ramën, as për të tjerë. Se këta janë kalimtarë në detyrë! Që Berisha është aq i kompleksuar për të qënurit kryeministër, lidhet me faktin që ai, duke qenë kryeministër, as SHBA-të nuk e arrestojnë dot, as Basha e Rama nuk “lehin” më kundër tij. Për këtë qëllim Berisha ka ndërmarrë turin “historik” të tij nëpër Shqipëri!
-Duke qenë se ju keni qenë funksionar në periudhën komuniste, a ka qenë Berisha anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë?
Besoj se këtë të vërtetë e di jo vetëm gjithë populli shqiptar, po edhe bota! Që Sali Berisha ka qenë siguro edhe sekretar partie, këtë mund të mos e dijë e gjithë bota! Ama fqinjët e Shqipërisë e dinë!
-Duke qëndruar te deklarimet e tij, a e rrëzoi vërtet Sali Berisha regjimin komunist?
E thashë më sipër! Këto janë përralla për të vënë fëmijët e vegjël në gjumë!
-A ka qenë Berisha bashkëpunëtor i Ramiz Alisë?? Ndërkohë që kur ai erdhi në pushtet e futi në burg bashkë me Nexhmije Hoxhën.
Pse nuk e dini ju që Sali Berisha ka qenë bashkëpunëtor i Ramizit?! Kush e çoi Berishën te studentët grevistë? Ti, unë, Muho? A, pse i futi në burg Ramizin e Nexhmije Hoxhën? Kjo është tjetër gjë dhe ka të bëjë me faktin që po të mos i arrestonte, Sali Berisha nuk bëhej i besueshëm as për Europën, as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
-Po për Edi Ramën, çfarë mendimi keni? A po bën sa duhet për LANC? apo ka tradhtuar idealet pasi solli eshtrat e Mit’hat Frashërit?
Edi Rama i ka tradhtuar me kohë idealet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Rigels Seliman