Javën e kaluar portalet shqiptare u mbushën me deklaratën e Mustafa Nanos që tha gjatë shfaqjes së tij në Teatrin Eksperimental se herën e parë e ka bërë me një mashkull.
Në monologun e kësaj jave në “Provokacija”, Nano u shpreh se nuk i interesojnë fare ato që shkruajtën mediat online.
Madje sipas tij nuk fyhet aspak nëse e quajnë të tillë pasi edhe nëse do të ishte gay, do ta thonte publikisht këtë gjë.
“Të nesërmen e ditës, në të cilën unë pata shfaqjen time me titull “Nuk ka kurva në këtë botë”, në skenën e Teatrit Eksperimental Spahivogli, portalet u përmbytën nga një lajm me titull “Muç Nano është gay; e tha ai vetë gjatë monologut të tij”.
Nuk di se cili portal ishte i pari. Por nuk më ha meraku për këtë gjë. Sepse nuk fyhem, nëse më quajnë gay. Nuk më fyejnë hiç fare.
Madje, po ju them një gjë: Me mendjen që kam, sikur të isha gay, do ta thoja publikisht këtë gjë. E do ta thoja jo sepse kështu do ndihesha më i qetë. Këtë nuk kam se si ta di.
Madje kam frikë se nuk do të isha më i qetë. Nuk ka se si të jesh më i qetë në Shqipëri, nëse je gay i deklaruar.
Unë do ta thoja publikisht këtë gjë për një arsye tjetër, do ta thoja thjesht për t’u prishur qetësinë një pjese shqiptarësh, që në fakt janë me mijëra, ndoshta qindra mijëra, ndoshta më shumë, e që i kap tartakuti, apo që bëjnë sikur i kap tartakuti, përballë një gay-i.
Do ta thoja publikisht këtë gjë për të sfiduar një pjesë të shoqërisë shqiptare. Dhe përsëris: Nuk do të ishte çliruese apo shëlbyese për mua.
Do të ishte, me shpresë, emancipuese për ca të tjerë, të cilët unë kurrë nuk kam për ta marrë vesh pse një zë në mbrojtje të së drejtës të çdokujt për të jetuar, edhe të gay-ve pra, e interpretojnë si një zë që promovon homoseksualizmin si një vlerë, e që e propagandon homoseksualizmin si një virtut.
Jo, homoseksualizmi nuk është vlerë e virtut. Është thjesht një gjendje, një orientim seksual i lindur dhe rastësor, siç është ngjyra e flokëve tuaj, forma e kafkës suaj, numri i këmbës që keni, libidoja seksuale e motrave dhe e grave tuaja, të dhënat tuaja angarafike, e kështu me radhë, por nuk është një atribut moral.
Kush mbron të drejtën e gayve për të qenë të trajtuar barabar me të tjerët nuk është se i veçon gaytë si të mirë, si më të mirë. Jo, kjo do të ishte një broçkull kolosale.
Gay-t janë njerëz si të gjithë njerëzit, të mirë, të liq, të bukur, të shëmtuar, të paqtë, të dhunshëm, siç jeni edhe ju vetë. Ndërsa e drejta e tyre për të jetuar nuk vihet në diskutim.
Nuk mund të vihet në diskutim, për më tepër, nga ca burra që mbahen më të madh ngaqë paskan talentin, a dhuntinë, a virtutin për të pëlqyer vetëm gratë, dhe i pëlqejnë aq shumë gratë sa i shohin ato si prona të tyret, madje edhe si objekte mbi të cilat zbrazin gjithë dufin e tyre, ku me britma, ku me grushta e ku me plumba.
Dhe këta barbarë, sepse barbarë janë, duan që moralin e tyre ta shesin si moral publik, mënyrën e tyre të të menduarit e të të jetuarit duan të na e imponojnë edhe neve si një stekë morale në shoqëri”, u shpreh ai.
Sipas Mustafa Nanos, gay-t në Shqipëri numërohen me gishtat e dorës dhe nuk janë problem i shoqërisë, por shqetësim janë ata që ai i quan barbarë, të cilët sipas tij janë mendjembyllur.
“Dua t’u them edhe një gjë të fundit këtyre të fundit. Të dashur barbarë! Mos harxhoni kaq shumë energji kundër gay-ve në Shqipëri. Lërini të tjerat, por nuk ka gay në Shqipëri. Numërohen me gishtat e dorës. Kështu që kot kapeni me gay-t.
Nuk janë gay-t problemi juaj, mirëpo po ta kuptonit këtë gjë nuk do të ishit barbarë. Nuk janë gay-t problemi i Shqipërisë. Dhe jo sepse janë pak. Edhe sikur të ishin të shumtë në numër, problemi ynë nuk do të ishin ata. Kurrsesi. Nuk kish se si.
Në doni ta dini, problemi i Shqipërisë jeni ju. Dhe jo sepse urreni gay-të. Por sepse mendjen e keni të vogël, dhe të mbyllur, si brenda një korace, blinde, kasaforte”, tha Nano.