Në korrik të 2018-s, 3 motra adoleshente goditën me thikë dhe rrahën për vdekje babain e tyre teksa ai flinte gjumë, në apartamentin e familjes në Moskë. Hetuesit kanë konfirmuar tashmë se i ati kishte abuzuar me të bijat fizikisht dhe psikologjikisht për vite me radhë. Të akuzuara për vrasje, motrat dhe fati i tyre janë shndërruar në një prej çështjeve më të nxehta në Rusi, ndërsa më shumë se 300 mijë persona kanë firmosur një peticion për lirimin e tyre.
Çfarë ndodhi me të atin?
Mbrëmjen e 27 Korrikut të 2018-s, Mikhail Khachaturyan thirri një e nga një në dhomën e tij Krestina-n, Angelina-n dhe Marian, e cila në atë kohë ishte e mitur. Ai i kritikoi ato se nuk kishin pastruar siç duhej apartamentin dhe i hodhi spraj me piper në fytyrë.
Shumë pak kohë më vonë, kur e kishte zënë gjumi, vajzat e goditën me thikë, çekiç e spraj me piper, duke i shkaktuar dëmtime fatale në kokë, qafë dhe kraharor. Në trupin e tij u gjetën më shumë se 30 plagë të shkaktuara nga thika.
Ato njoftuan më pas policinë dhe u arrestuan në vendngjarje.
Shumë shpejt hetimet zbuluan historinë e dhunës barbare që vazhdonte për kohësh në këtë familje. Khachaturyan i kishte rrahur barbarisht në mënyrë të vazhdueshme të treja vajzat e tij për më shumë se 3 vjet. Ai i kishte torturuar, i kishte mbajtur të burgosura e kishte abuzuar seksualisht me to.
Vëmendja tek dhuna në familje
Rasti i tyre pushtoi Rusinë. Aktivistët për të drejtat e njeriut argumentuan se motrat nuk ishin kriminele, por viktima, pasi ato nuk kishin asnjë mënyrë për të marrë ndihmën dhe mbrojtjen e nevojshme.
Megjithatë, në Rusi nuk ka ligje që mbrojnë viktimat e dhunës në familje.
Sipas ndryshimeve ligjore të prezantuara në vitin 2017, një person që dhunon për herë të parë pjesëtarin e familjes së tij, por jo aq shumë sa për ta bërë për spital, do të përballet vetëm me një gjobë, ose me rreth 2 javë në paraburgim.
Shpesh policia në Rusi e trajton dhunën në familje si “çështje familjare”, duke ofruar pak ose aspak ndihmë.
Nëna e motrave, e cila gjithashtu kishte vuajtur dhunën dhe abuzimin e Khachaturyan në të shkuarën, iu ishte drejtuar policisë vite më parë. Të njëjtën gjë kishin bërë edhe fqinjët e familjes, të cilët e kishin atë shumë frikë. Por nuk ka të dhëna që të tregojnë se policia kishte vepruar në asnjë prej këtyre rasteve.
Në kohën kur ndodhi vrasja, nëna e vajzave nuk jetonte me to dhe Khachaturyan ia kishte ndaluar vajzave që të kishin kontakt me të ëmën. Sipas të dhënave të psikiatërve, vajzat jetonin në izolim dhe vuanin nga stresi post-traumatik (PTSD).
Çfarë ndodhi gjatë hetimeve?
Çështja e motrave Khachaturyan ka ecur me hapa të ngadaltë. Aktualisht ato nuk janë më në paraburgim, por janë të kufizuara nga shumë gjëra; nuk mund të flasin me gazetarët, apo me njëra-tjetrën.
Prokurorët insistojnë se vrasja e Khachaturyan ishte e paramenduar, pasi ai ishte në gjumë dhe motrat vepruan në mënyrë të koordinuar, duke e marrë fshehurazi thikën mëngjesin e asaj dite. Sipas tyre motivi i vrasjes ishte hakmarrja.
Nëse shpallen fajtore për këtë akuzë, motrat rrezikojnë mbi 20 vjet burg. Dyshohet se Angelina ishte ajo që e goditi me çekiç të atin, Maria me thikën e gjuetisë, ndërsa Krestina me sprajn me piper.
Megjithatë, avokati i motrave thotë se vrasja ishte në fakt akt vetëmbrojtjeje. Kodi Penal rus e lejon vetëmbrojtjen, jo vetëm në rastet kur personi sulmohet në moment, por edhe në rastet kur dhuna është e përsëritur.
Mbrojtja insiston se motrat ishin viktima të “krimit të vazhdueshëm”, për këtë arsye duhen lënë të lira. Avokatët e tyre shpresojnë se çështja do të pushohet, pasi hetimet konfirmuan abuzimin e vazhdueshëm e Khachaturyan që prej vitit 2014.
Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe shumë rusë kërkojnë tashmë që të ndryshohet ligji dhe të prezantohen masa të tilla si banesa të mbrojtjes sociale të financuara nga shteti, urdhra mbrojtjeje dhe kurse për të menaxhuar sjelljen agresive të abuzuesve.
Sa e përhapur është dhuna në familje?
Nuk ka të dhëna sa femra vuajnë dhunën në familje në Rusi. Megjithatë, aktivistët për të drejtat e njeriut përllogarisin se numri mund të jetë 1 në çdo 4 familje.
Të shumta kanë qenë rastet që kanë tronditur opinionin publik në Rusi, por edhe atë ndërkombëtar. Ndër to ishte edhe rasti i Margarita Gracheva, burri i së cilës i preu të dyja duar me sëpatë nga xhelozia.
Disa ekspertë thonë se mbi 80 përqind e femrave që ndodhen në burgjet ruse për vrasje, kanë vrarë abuzuesin në shtëpi, në vetëmbrojtje.
Motrat Khachaturyan janë përballur edhe me zemëratën e popullit rus, asaj pjese të shoqërisë që është më konservatore. Një organizatë e quajtur “Shteti i burrave” që citon si dy prej vlerave kryesore të saj sistemin patriarkal dhe nacionalizimin, e që ka rreth 150 mijë anëtarë në rrjetet sociale, organizoi një fushatë të quajtur “vrasësit pas hekurave”, duke insistuar se motrat nuk duhen liruar.
Nga ana tjetër, në përgjigje të një peticioni në change.org që kërkon lirimin e motrave, ka pasur shumë aktivitete solidare në mbështetje të tyre.
Darina Serenko, një feministe dhe aktiviste nga Moska e cila në Qershor ndihmoi në organizimin e një parade 3 ditore në mbështetje të motrave, thotë se qëllimi kryesor i këtyre eventeve publike është që historia e tyre të jetë në media dhe që t’i japë të gjithëve mundësinë për të folur për sigurinë e tyre.
“Abuzimi në familje është realiteti i jetës në Rusi. Mund ta injorojmë, por prek jetën e gjithsecilit prej nesh, ndonëse mund të mos e kemi provuar asnjëherë personalisht”, thotë Serenko.