Përkeqësimi i kushteve të motit ka prekur qytetin bregdetar të Vlorës, ku që prej mëngjesit të sotëm era ka qenë e fortë teksa dallgët priten të jenë 2 metra. Në kushte të tilla moti, kapiteneria e portit të Vlorës ka njoftuar se është ndaluar dalja në det e mjeteve të vogla të peshkimit.
Sipas kapitenerisë, mjetet që lundrojnë brenda gjirit të Vlorës duhet të marrin masat e nevojshme. Ndërsa anijet e udhëtarëve pritet të vijojnë punën dhe lundrimin normalisht.
Ndërkohë, moti pritet të përmirësohet nesër paradite pas orës 10:00.
Njoftimi i Kapitenerisë:
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datës 07.01.2025 duke filluar nga ora 08:00 datë 07.01.2025 kushtet hidrometeorologjike do të jenë në drejtimin JUG-JUG-LINDJE në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
1.Është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 08:00 datë 07.01.2024.
2.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 10:00 të datës 08.01.2025.