Eliza Hoxha, deputet e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ka rrëfyer përvojën dhe betejën me COVID-19.
Ajo ka shkruar se si i ka kaluar 10 ditë në spital, dhe se tani do të vazhdojë të shërohet në shtëpi, transmeton Telegrafi.
Hoxha u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat mbrojtëse siç është bartja e maskave, distanca sociale fizike si dhe ruajtja e higjienës personale.
Shkrimi i plotë i Eliza Hoxhës:
Nata e bënte të veten. Dukej se pas terapisë së mbrëmjes të gjithë rehatoheshin për gjumë. Por teknikët e oksigjenit nuk ndalonin asnjëherë duke sjellë boca të reja…Zhurmë, krisma, tërheqje zvarrë e tyre sepse gjithcka bëhej manualisht…por kishte edhe një rrëmujë tjetër në terracën e dhomave mbrëmë. Dola jashtë…Ora 01:00 e natës. Në dhomën nr. 9 vdiq edhe një burrë. Shqetësim, pasiguri, paqartësi… I shprehë ngushëllimet e mia djemëve të tij dhe kthehem në dhomë.
Tani kishte edhe një grua në dhomën time e cila mezi ngopej me frymë. Ishte 24 orë me oksigjen shtesë. Dikur fjeta.
Si në ëndërr më dukej se dikush thërriste emrin tim…sa e sa herë me rradhë… Në fakt u zgjova dhe guaja pranë shtratit tim gjëmonte e rënkonte duke thirrur me rënkim emrin tim e duke përsëritur ” më është ndal oksigjeni” . Ora 03:20 e mëngjesit.
Kërceva nga shtrati e trishtuar…Motër …motër…nuk ka më oksigjen…U shqetësua edhe ajo…i thirri teknikët, erdhën dhe e ndërruan bocën…
Ajo u rehabilitua dhe fjeti përsëri…por unë më nuk fjeta…cka nëse nuk e kisha dëgju…cka nëse nuk kishte pas bocë tjetër me oksigjen atë natë…cka, nëse?!…
Më zuri mëngjesi me sy hapun.
Natë në dhomën nr.6 – infektive – reparti B
Pas 20 ditesh – 10 në shpi e 10 në spital nga sot zyrtarisht jam Covid Free, por ende me terapi sh’pie në vazhdim.
Dua me këtë rast veç nja dy tre fjalë, ndoshta i shërbejnë dikujt…
1. Virusi duket se ka një paketë simptomash identifikuese, por pasojat e virusit nuk janë të njejta për asnjë person.
2. Stafi i mjekëve e infermierëve nuk kanë ndalu as edhe një herë. Por janë të pamjaftueshëm në numër për të arritur tek të gjithë. Qeveria ka patur mundësi ta decentralizojë shërbimin më heret, të testojnë më shumë persona, të rrisin nr e personelit.
3. Infrastruktura shëndetsore nuk është krejt e paqëndrueshme, sa është menaxhimi i dobët dhe mirëmbajtja e tyre…këtu i përfshijë edhe vet pacientët që shpesh nuk janë të vëmendshëm për të mirën publike.
4. Ka një gjë që këto ditë i ka zbutur duke i bërë të duken surreale ndonjëherë…Drunjët dhe hapësira e gjelbër përreth spitalit bashkë me zogjët që na zgjonin në mëngjes janë peizazhi që më ka motivuar të zgjohem e të duroj për ditë të mira. Efekti natyrë që ne po e mbysim cdo ditë në këtë qytet.
5. Covidi më ka njohur edhe me njerëz të tjerë që luftonin për jetë dhe na ka lidhë shoqëri përjetë. Fatoni dhe Gonxhja janë një pasuri e re në jetën time.
6. Mediat mendojë që duhet informatat ti përshkallëzojnë…jo vetëm në shifra sa të infektuar e sa të vdekur, por edhe se cfarë raste janë, sa me simptoma të rënda e sa pa simptoma…sa ne spital e sa në shpi …sepse jep një pamje më të qartë…rastet pa simptoma mund të jenë bartës pa dashje e më besoni se ka shumë…
I falenderoj mjeket dhe infermierët e infektives për përkushtimin dhe energjinë e mirë! Ju falenderoj të gjithë juve miqë e dashamirë që u kujdesët, më këshilluat e më inkurajuat për të vazhduar!
Falenderim special për Arditën dhe Ardianin udhërrëfyesit e mijë gjatë kohës sa isha në vetizolim!
U jam shumë mirënjohëse!
Ka qenë eksperiencë shumë e çuditshme dhe sfiduese edhe përtej dimensionit shëndetsor!
Në fund fare ka një gjë të thjeshtë.
#lajiduart
#QiteMaskën
#mbajedistancën
Për vete, për tjetrin. Për jetën!