Albin Kurti sërish e veçoi veten duke mos marrë pjesë në takimin joformal në Tiranë në përgatitje të Konferencës së Berlinit.
Mbledhja kësaj radhe ishte në rang kryeministrash kështu që nuk mund ta kalonte me një zëvendësim të mundshëm! Ashtu siç bëri de facto gjatë turit ballkanik të Edi Ramës.
Nuk kemi fare dyshim që kontributi i tij do kishte qenë pranë zeros në suksesin e një nisme politike të homologut të tij shqiptar.
Albin Kurti arrin të kombinojë fare mirë traditën e diktaturave komuniste dhe asaj më të re të liderëve populistë-sovranistë: të dyja bazohen në marrëdhëniet e drejtpërdrejta ndërmjet liderit dhe popullit dhe ushqehen nga një kult i personalitetit të liderit.
Roli i ndërmjetësit mes Kosovës dhe Serbisë dhe ai i bashkëbiseduesit të privilegjuar ballkanik që i atribuohet nga Perëndimi Edi Ramës, lë në hije rais-in kosovar, i cili e refuzon totalisht atë.
Dihet tashmë qëndrimi i Kurtit i cili u pozicionua tërësisht kundër projektit të Ballkanit të Hapur, duke thënë se e konsideronte të padobishëm pasi Kosova ishte pjesë e procesit të Berlinit. Sot ama duket se po e refuzon edhe atë forum diskutimi dhe integrimi me vendet e tjera të Ballkanit.
Vjen kjo vallë nga marrëdhënia e tij dhe inati kundër Edi Ramës? Është kjo një kapriço personale që reflektohet në marrëdhënie shteti brenda rajonit?
Besojmë absolutisht që po!
Por do të ishte gabim që këto refuzime të Kurtit të lexoheshin vetëm si pasojë e një antipatie personale ndaj kryeministrit shqiptar.
Nëse e vërteta do të qe kjo, çështja do të ishte më pak serioze sesa është në të vërtetë.
E vërteta është se ajo e Albin Kurtit është një strategji e vërtetë politike që synon të izolojë vendin e tij si nga pjesa tjetër e Ballkanit dhe mbi të gjitha të nxjerrë Kosovën nga zona e ndikimit perëndimor, garantues rajonal i së cilës u zgjodh Edi Rama.
Përpara Edi Ramës, Kurti tashmë ka refuzuar qartë përfaqësuesin e politikës së jashtme evropianin Josep Borrell (ministrja e jashtme e Kosovës e quajti Evropën tigri prej letre), të dërguarin amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar (Anthony Blinken u quajt naiv prej vetë Kurtit) dhe gjithashtu shpërfilli ish-presidentin amerikan Bill Clinton (njerëz pranë tij e cilësuan atë një politikan në moshë e të parëndësishëm), atë që është një nga etërit themelues të pavarësisë së shtetit të ri kosovar.
Ndaj strategjia e Kurtit duket se shkon përtej një antipatie personale me Ramën, pret të vetmet rrënjë historike që mbështesin vetë ekzistencën e vendit të tij. Ndërsa pretendon sovranitetin e vendit, Kurti po përpiqet të ripërcaktojë një identitet të ri kosovar ku priten lidhjet me Shqipërinë, shkelet memoria e vetë luftës për pavarësi nga UÇK-ja dhe pothuaj mohohet vendimi i administratës amerikane që bëri të mundur krijimin e shtetit të Kosovës dhe njohjen e pavarësisë.
Duhet absolutisht të jemi të ndërgjegjshëm që Kosova tashmë ka një problem serioz identitar, por nëse i hiqen këto rrënjë etnike dhe politike, ajo rrezikon të mbetet krejtësisht jetime dhe të shkojë deri aty sa të vihet në pikëpyetje vetë ekzistenca e saj si komb.
Nëse strategjia izolacioniste-nacionaliste e Kurtit është tashmë e qartë, mbetet misteri se cili është qëllimi i këtij marshi në shkretëtirë.
A synon kryeministri kosovar të bëhet alter egoja e Edi Ramës, pra lideri anti-perëndimor i Ballkanit?
Por nëse Kosova largohet nga zona e ndikimit të NATO-s, nga lidhjet me aleatët e saj kryesorë dhe nga vetë ai etnik me Shqipërinë, atëherë cila dhe si do të jetë e ardhmja e saj? Nacionalizmi i fortë çetnik serb në atë rast do të merrte një shpejtësi të re dhe Prishtina mund të kthehej në të qenit asgjë më shumë se një kryeqytet provincial i izoluar nga vetë aleatët e saj! /Albanian Post