Nga Anri Bala
Nuk e mendoja kurrë, se një ditë, do të shkruaja, ndoshta duke i’u lutur, ju të tallur, të persekutuar, të përndjekur e poshtëruar… të mos shkoni në atë protestë! Nuk do të guxoja kurrë, t’iu lutesha të mos protestonit… jo aspak! Por ama, t’i s’mund të ecësh drejt vdekjes tënde o njeri… të asaj fizike por edhe atë shpirtërore, që ta ka bluar trupin nga brenda prej dhjetra vitesh, të ka rrudhur e plakur, s’të ka lënë dhëmbë në gojë, vetëm se guxove të klithje në humbëtirë: “Drejtësi”, edhe si shpagim more grushte e shkelma në surrat… e përsëri t’i beson.
Tani del e flet me veten, pasi t’i kanë marrë gjithë çfarë pate! Vazhdojnë ku të munden, si “xhepistë” të rëndomtë të të fusin duart në xhepa, ndërsa ty… ty të kanë lënë “astarin”. Të kanë nxjerr nga shtëpia vetëm me teshat e trupit, edhe atë i’a kanë falur dikujt tjetër për “plaçkë” apo dhe kënaqësi personale, ndërsa ty… ty të kanë degdisur jashtë, në terrin e ftohtë të natës, ndoshta jo më i ftohtë se shpirti i tyre… por ti përsëri i ndjek!
Janë tallur me ty, të kanë përbuzur duke të parë nga makinat e tyre disa milionëshe, të blera me kursimet e tua, teksa t’i endesh rrugëve si rreckaman. Por, çfarë është më e rëndësishmja, të kanë “vjedhur” shkëlqimin e syve që të shihte dikur gruaja, djali apo vajza… të cilët sot, prej pafuqisë tënde për t’iu përgjigjur nevojave të tyre, prej padrejtësisë që të kundërshton dhunshëm çdo ditë, të konsiderojnë si të paaftë, të paditur dhe të varfër… e ti përsëri i ndihmon!
Por t’i, edhe pse more bërryla, grushte e shkelma, prapë je munduar të ringrihesh duke shtrënguar dhëmbët, edhe pse gjunjët nuk ta mbajnë peshën e rëndë të fajit! Të fajit, që nuk ishe i aftë të vrisje e vidhje miliona, e t’i shpëtoje ndëshkimit me paratë e pista, prej loti e gjaku. Ke faj që nuk je kriminel dhe nuk dite të kurvëroje në bordellon tonë… që quhet politikë! Aty do të gjeje gjithfarë lloj race, e prej tyre do të mësoje shumë… por ti nuk paske mësuar!
Është faji yt, që nuk pate disa para, për të siguruar disa miq prokurorë e gjyqtarë, e burgun s’do ta bëje as për vrasje në masë, e jo më për një qese hashash! Është faji yt, që s’dite të vidhje kurrë, që të largoje frikën nga sofra bosh, e me sy nga qielli i lutesh Zotit: “Amin na jep shëndet, se po të sëmurem, nuk kam të paguaj as ilaçet!”
Ti je ndryshe nga ata, sepse zgjodhe të mos dukeshe si tufa e xhelatëve të tu, ata të cilët do të kesh nesër në krahë. Të jesh i bindur, do të të nënqeshin, duke të të parë si i prekur nga lebra dhe me përbuzje do të të largohen, sepse nuk duan të të ndjejnë as aromën! Ata janë xhelatët tuaj, të bërë bashkë dhe të ndihmuar nga lukunia e babëzitur për padrejtësi, të cilët duhet të ishin në burg vite më parë, me damkën e fajtorit: Krime kundër njerëzimit!
Nuk do e mendoja kurrë, se ty të lipset nevoja të të shpjegoi një mijë e një arsyet, pse nuk duhet të shkelni mbi ato pllaka që mallkojnë të atij bulevardi, duke u tërhequr zvarrë në krahë të xhelatëve tuaj! Nëse doni, kemi ditë tjetër… pasnesër! Më thërrisni dhe mua! Mos u bëni vegla qorre të inateve dhe mllefeve të atyre, që s’kanë çfarë humbasin, por që kanë humbur shumë… të drejtën për të na vrarë, rrjepur, fyer e poshtëruar!
Mund të protestojmë për “Drejtësinë” (vettingun), e cili ka dy javë që ka ngecur dhe dosjet po pluhurosen dhe vettingistat kanë frikë t’i nxjerrin nga sirtarët! Nëse në gjashtë muaj, “gjykohen” gjashtë gjyqtarë, atëherë drejtësia ka mbetur aty ku na e lanë… në kalendat greke!
E nëse nuk do tu lutesha sot, mos shkoni nesër në atë bulevard, do ishte faji im… që nuk ju thërrita pasnesër për demostratë!/Ekskluzive.al