Nga Mero Baze
Arrestimi i një sërë zyrtarëve të urbanistikës dhe investitorëve të disa ndërtesave në Durrës, duhet të shërbejë si një proces që të provojë shkakun që prodhoi tragjedinë pas tërmetit. Ekspertiza e godinave të shembura dhe atyre ku humbën jetë njerëzish, duhet të provojë në mënyrë shkencore se çfarë ka shkuar keq në ato godina.
Disa prej tyre kanë qenë godina të periudhës së fundi komunizmit, ndërtuar jashtë standarteve. Por një pjesë e madhe janë godina të tranzicionit, të cilat, ose janë ndërtuar keq, ose ka pas ndërhyrje jashtë standarteve të ndërtimit.
Verfikimi i kësaj problematike, duhet të na çojë tek personat përgjegjës, dhe jo e kundërta. Nëse nisemi nga personat që duam të ndëshkojmë për betejë politike e pastaj të gjemë argumente për arrestimin e tyre, jo vetëm që rrezikojmë t’i bëjmë viktima të ndaluarit dhe të shpallen të pafajshëm, por të fshehim dhe shkaqet e vërteta të tragjedisë, që mund të na përsëritet.
Kam parë reagimin e PD, që në gjithë këtë histori, kërkon doemos arrestimin e Vangjush Dakos, si ish- kryetar Bashkie. Nuk është se kam parë ndonjë fakt që e lidh përgjegjesinë e ndonjë godine të shembur me Vangjush Dakon, por natyrisht që nuk e përjashtoj të ketë, nëse del gjatë hetimit.
Por po të nisemi nga emrat e bashkiakëve, duhet të ndalojmë gjithë ish- kryetarët e Bashkisë së Durrësit, nga viti 1992, t’i mbajmë në paraburgim derisa të përfundojë gjyqi, pasi më së shumti kanë rënë godina që janë ndërtuar deri në vitin 2000, kur Durrësi ka qenë drejtuar nga PD.
Duhet të ndalojmë me këtë logjikë, Tomor Golemin, që ka drejtuar deri më ‘1996, Arqile Gorean, që ka drejtuar deri në vitin 2000, Miri Hotin, që ka drejtuar deri në vitin 2003, Lefter Kokën, që ka drejtuar deri në vitin 2007, dhe së fundmi Vangjush Dakon, pas vitit 2007.
Biles dhe Muho Asllanin duhet ta ndalojmë, se kanë rënë disa godina të ndërtuara nga partia, me kontribut vullnetar.
Por të nisesh nga kjo logjikë, është një mënyrë se si ti nxjerrësh të pafajshëm të gjithë, duke u marrë me të fundin, të cilit dyshoj se i ka rënë ndonjë pallat, nga ata që ka dhënë leje.
Kjo është mënyra më e keqe për të sabotuar procesin e hetimit dhe gjykimit të fajtorëve, dhe për ta lënë krimin pa emër në Durrës, Lezhë e Laç.
Shikoni se çfarë ndodh me krimin tek Kavalishenca. Ndërhyrja e fundit zyrtare me tender është bërë në vitin 2008, kur ishte ministër Bujar Nishani. Aty humbi jetën një oficer policie.
Sali Berisha, për ta mbuluar përgjegjësinë e tenderuesit të fundit që e ka në krye të PD, shpik që aty ka bërë orgji Saimir Tahiri, ndaj kanë rënë muret.
Tani perversitete të tilla të një plaku të lig, që tenton të mbulojë krimet duke bërë politikë, nëse nuk hetohen si përpjekje për të fshehur krimin, mund të dëmtojnë procesin.
Në këtë rast PD nuk thotë të ndalohet Nishani, por të ndalohet Saimiri, se nga “orgjitë” janë tronditur muret.
Hetimi duhet të jetë serioz dhe duhet të nisë nga rrënojat, për të shkuar në zyra, dhe jo nga zyrat për të shkuar tek rrënojat.
Po e nisëm nga zyrat jemi duke bërë politikë dhe personazhet do mbrohen politikisht. Po e nisëm nga rrënojat, askush si mbron dot më.
Mos e ribëni hero Vangjush Dakon, pa qenë nevoja, se do niseni te arrestoni Vangjushin e mund t’iu dalin tuajat me keq.
Lërini prokurorët të merren me shkaqet për të gjetur fajtorët, dhe jo t’ua caktoni prokurorëve fajtorët dhe ata të gjejnë shkaqet.
Kështu kanë pas vepruar kur donin të nxirrnin grupe armiqësore në komunizëm. Tani jemi duke kërkuar fajtorë, jo grupe armiqësore.