Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë nisur ditën e djeshme një sulm frontal ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Reagimet e ndërkombëtarëve dje, ishin një shuplakë e fortë për opozitën dhe kjo nuk është kapërdirë dot nga përfaqësuesit e saj. Gazeta “SOT” e deklaroi pak ditë më parë se kemi të bëjmë me një skenar rus për të destabilizuar vendin. Një gjë e tillë u konfirmua hapur dje nga sulmet dhe retorika e ashpër e Monika Kryemadhit dhe Sali Berishës.
Gjatë një deklarate për mediat nga selia e LSI, pas përfundimit të protestës, Kryemadhi kërcënoi hapur Ramën, duke i thënë se nuk e mbrojnë dot as arsenali i armëve të amerikanëve. Por teksa ambasada e SHBA deklaroi se dhuna duhet të marrë fund, Kryemadhi nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje. “Protesta ishte përgjigja më e mirë që i dhanë shqiptarët sot nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Nga ai bulevard ku me qindra e mijëra shqiptarë kanë dhënë gjakun për vendin e tyre, që kjo Shqipëri të jetë e lirë.
Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan edhe njëherë që ti ke ikur zotëri. Por ke ikur si një frikacak dhe nuk gjen vend ku të fshihesh. Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan që mund të përdori çdo lloj arme, por ata nuk i tut dot. Edi nuk ka parë gjë akoma. Jo gaz lotsjellës, jo plumba plastikë të përdori ndaj qytetarëve, por sikur edhe të gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta mbledhë kundër popullit të tij, ai nuk mund ta mundi dot”, deklaroi ajo. Pra, përmes kësaj deklarate Kryemadhi i ka çuar një mesazh në distancë jovetëm kryeministrit Edi Rama, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i treguar se nuk pyet për ta.
Berisha kundër ndërkombëtarëve
Në të njëjtën linjë me Kryemadhin ditën e djeshme është rreshtuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka shpërthyer në akuza ndaj ndërkombëtarëve gjatë protestës së opozitës, ku protestuesit kanë brohoritur gjatë emrin e ish kryeministrit Sali Berisha para Kryeministrisë. Teksa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha qëndronte krah aleatit të tij, kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Berisha i nxitur nga militantët ka lëvizur në të gjithë perimetrin e tubimit për t’u përshëndetur. Më herët, Berisha ka refuzuar të distancohet nga dhuna duke nënvizuar se protesta ishte paqësore.
Por teksa gazetarët e kanë pyetur lidhur me deklaratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qetësim të situatës dhe distancim ndaj dhunës, Berisha ka refuzuar të përgjigjet. Më pas, pas insistimit të gazetarëve, ai theksoi se i mirëkupton deklaratat e SHBA-së, por opozita dhe ai kanë axhendën e tyre. “ Ne kemi axhendën tonë”, deklaroi ai. Pra, edhe në këtë rast deklarata e Berishës tregon qartë që ai është i frikësuar nga amerikanët, aq më tepër që ndodhet në një periudhë, në të cilën SHBA i ka refuzuar vizën. Kështu që, duke qenë se ish-kryeministri dhe LSI janë armiqtë më të mëdhenj të reformës në drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po reagojnë fuqishëm, ku njëra nga masat është refuzimi i hyrjes së tyre në tokën amerikane.
Ndërkohë që një raste tjetër se përse Kryemadhi dhe Berisha janë hedhur në sulm është edhe ngritja e SPAK, e cila do të hetojë korrupsionin në nivele të larta të politikës dhe zyrtarëve të lartë. Nga ana tjetër, protesta e djeshme e opozitës faktoi edhe njëherë atë që paralajmëroi gazeta “SOT”, teksa arkitekti i dhunës së opozitës duket se ka qenë Sali Berisha. Dje militantë të opozitës sulmuan Kryeministrinë, por më i ekzaltuar ishte ish-kryeministri Berisha, i cili në disa momente mori frenat e protestës dhe udhëzonte turmën që të sulmonin selinë e Këshillit të Ministrave./ Rigels Seliman