Pas protestës farsë të ish-presidentit Ilir Meta tek Landfilli i Sharrës, deputetja Monika Kryemadhi ka kritikuar opozitën, pjesë e së cilës është edhe vetë.
Si për t’i dhënë një mesazh Metës, që u braktis në protestën e shtatorit, Kryemadhi tha se nuk duhen bërë xhiro roza-rozina në shesh ditëve të shtuna.
Ajo deklaroi në një studio televizive se duhet hequr dorë nga protestat për show mediatik, pasi theksoi se kryeministri Edi Rama nuk mund të largohet në këtë mënyrë.
“E kemi lodhur publikun me protesta. Vetëm për Lulzim Bashës që ta bënim kryetar të PD dhe opozitë kemi bërë mbi 26 protesta. Bënin dy-tre xhiro roza-rozina dha pastaj shpërndau. Sot ra, nesër u ngrit. Përsëri sot nuk është çështja protesta. Millosheviçi me votë iku dhe ky Sllobodani jonë Rama me votë do ikë. Që të ikë me votë duhet të jesh opozitë e strukturuar në terren.
Bëj protesta sa të duash, mblidh 10 mijë veta por janë 5500 qendra votimi, 1.5 milion votues. Protesta do qëndrueshmëri, nuk ka protestë bëj një xhiro ditën e shtunë. Po fillove o rri aty pa lëvizur vendit… Edhe çadra pati efekt, por u shit në fund me 17 maj. Protesta për show mediatik duhet të heqim dorë, memoria politike 3 sekonda është, memorie peshku. Edi Rama u bën lavazh dhe ne dashje pa dashje bëhemi mekanizëm i lavazhit të trurit që Rama u bën qytetarëve”, u shpreh deputetja.