Në Korrik pritet të vuloset aleanca zyrtare mes Ilir Metës dhe non gratës Sali Berisha. Berisha dhe Meta pritet bashkojnë forcat, nëse planet shkojnë sipas llogarive të tyre, pritet bashkimi i madh i PD-së me LSI-në.
Fakti është se kreu aktual i shtetit nuk e ka mohuar dëshirën për të marrë drejtimin e opozitës. Lëvizja Socialiste për Integrim përpara se të tërhiqej Lulzim Basha u shkëput dukshëm nga Partia Demokratike, e madje këto dy parti u panë si armike edhe pse ishin bashkë në zgjedhjet e 25 Prillit.
Basha preu çdo bashkëpunim me këtë forcë politike, ndërsa i mbylli derën Metës, që dikur e paralajmëronte se do t’ia merrte drejtimin e opozitës. Kjo u duk qartë pasi me marrjen e frenave të PD-së nga Berisha gjithçka në LSI ndryshoi. Lëvizjet e mëdha që priten në politikë i ka paralajmëruar dhe Monika Kryemadhi. Ajo ka thënë se Presidenti Ilir Meta do të kthehet në fushëbetejë për një sfidë të re brenda partisë brenda pak kohësh.
“LSI po shkon drejt një sfide të re. Kohë të tjera do të vijnë, angazhime të tjerë do të duhen. Kërkon energji të re. Unë dua t’ju bëj me dije, le ta kemi këtë aktivitet ku unë do të flas si kryetare, pasi gjëra të tjera, angazhime të tjera do t’ju vijnë. Jam i bindur se brenda shumë pak muajsh, ai që krijoi LSI do të kthehet te ju. Edhe ai mezi pret që t’ju vijë.
I mungon miqësia juaj, entuziazmi juaj, sinqeriteti juaj. I mungon mundësia për të ndryshuar realitetin e ndotur të moçalit politik ku kishim qenë”, tha Kryemadhi pak kohë më parë. Pra terreni për rikthimin e Metës në krye të LSI po përgatitet nga bashkëshortja e tij. Këtë gjë e tregojnë dhe takimet e saj së fundmi me strukturat në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ndryshimi që ajo ka paralajmëruar është se Meta do të jetë ideator i një lëvizje të re.
“Nuk e di nëse Ilir Meta do të kthehet në LSI apo jo sepse LSI është shumë e vogël për Metën, është një kostum që i rri ngushtë, por mund të jetë ideatori i një lëvizje të re që rikthen identitetin kombëtar dhe integritetin tonë, por mendoj se do të jetë një iniciativë. Për hir së vërtetës, na pëlqen apo s’na pëlqen, është politikani i vetëm që Kryemadhi me Bashën me vendimet që morën, e përballën tre herë me togat e pushkatimit: dy herë në Venecia ku ai e fitoi betejën dhe 1 herë në Gjykatën Kushtetuese. Meta është instrument që bashkon shumë grupe,” tha Kryemadhi.
LSI kërkon rikthimin e Ilir Metës
Partia që drejtohet nga Monika Kryemadhi ka shtuar zërat për një rikthim të Ilir Metës. Takimet e Kryemadhit po vazhdojnë të japin efektet e tyre, pasi gjithçka po shkon sipas planit.
Ish-deputetja e LSI-së, Florida Kërpaçi thotë se mbështetësit e Ilir Metës janë të shumtë. Duke iu referuar një sondazhi, Kërpaçi thotë se “40% e simpatizantëve të Ilir Metës, janë të rinj 18-44 vjeç, rinia e mbështet”.
Sipas Kërpaçit, Lëvizja Socialiste për Integrim po punon për të garuar me PS-në, që ndodhet në vitin e dhjetë të qeverisjes së saj. Por edhe deputeti i LSI dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt gjatë viteve kur Meta drejtoi këtë forcë politike, Petrit Vasili mirëpret rikthimin e presidentit në partinë që e themeloi vetë në vitin 2004.
Në një studio televizive, ish-ministri i Shëndetësisë deklaroi se dera e LSI është e hapur për kreun e shtetit. Ai çmoi rëndësinë e Metës për LSI duke theksuar se pa të, kjo forcë politike nuk do të ekzistonte kurrë. Sali Berisha më shumë betejën e ka me Amerikën dhe mosha e tij nuk është më ajo e para, gjasat janë që drejtimin e opozitës ta marrë Ilir Meta.
Thënë ndryshe të gjitha këto lëvizje publike dhe kulisa po bëhen me qëllimin e vetëm që të ish-kryeministri të marrë drejtimi i Partisë Demokratike dhe më pas kjo gjë i hap rrugë zyrtarizmit të aleancës Meta-Berisha.