Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi doli në një konferencë për shtyp ku bëri bilancet e dështimeve si i quan ajo të “qeverisë Rama”.
Nga selia e LSI-së Kryemadhi tha se viti 2018 do të mbahet mend si viti ku dështuan negociatat për në BE, si dhe për protestat.
Ajo theksoi se 2018-ta nisi me protestën e opozitës, dhe përfundoi me protestën e diasporës.
“Së bashku humbëm një vit drejt hapjes së negociatave për shkak të arrogancës. Humbëm një vit për shkak të korrupsionit dhe kapjes së qeverisë.
Sigurisht që viti 2018 do të mbahet mend si viti i protestave që nisi me protestën e opozitës dhe vazhdoi më tutje me protestën e naftëtarëve, me protestën e minatorëve, të biznesit të vogël.
Protesta e studenteve solli shpresën e shqiptarëve.
Dhe ky vit përmbyllet me protestën e diasporës, për ti kthyer dinjitetin popullit të tyre. 2018 do të mbahet mend si viti i varfërisë dhe u shtrëngon rripin të varfërve dhe u liron të pasurve”, tha Kryemadhi.