Nga Arbër Hitaj
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, i zuri të gjithë në befasi. Pak e prisnin se ai do të shkonte në qelitë e burgut me një pjesë të atyre që janë arrestuar në 4 vjeçarin që drejtoi atë që njihet si Ministria e “mallkuar”.
Saimir Tahiri ka dritëhijet e tij, por ato i kanë të gjithë politikanët, përfshirë Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Sali Berishën e Edi Ramën.
Ajo që vjen erë në atë që ndodhi 24 orët e para pas vendimit, është qëndrimi që mbajti Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe Sali Berisha. Fillimisht një qetësi mortore mbizotëronte në kampet politike.
Heshtja u thye disa orë më vonë, me qëndrimin se ka marrëveshje mes Tahirit dhe Edi Ramës! Si mund të bëj marrëveshje me burgun, dikush që ka patur rëndësi të madhe për sigurinë e këtij vendi?! Si mund të shkoj me dëshirë në burg ai që ndoshta më shumë se çdo kush tjetër ia di peshën prangave simbolike dhe ligjore?!
Këtu fillon dhe gënjeshtra e Monikës, Ilirit dhe Berishës, ata e dinë shumë mirë se tashmë këmbanat po buçasin. Prej ditësh çifti presidencial, ka filluar një fushatë mediatike duke dhënë intervista kudo. Duke treguar se janë të fortë dhe po rikthehen. Por, në të vërtet këto dalje të tyre tregojnë frikën që i ka kapluar deri në palcë. Fillimisht po gënjejnë publikun se Tahiri u dënua se kanabizoi vendin! Po gënjejnë se Edi Rama ëshë i përfshirë në trafikun e drogës! Tahiri u dënua për shkak të veprimeve dhe mos veprimeve me të afërmit e tij Habilaj dhe jo për mashtrimet që po përhapen në media!
Në kohën kur LSI ishte në koalicion me PS, apo edhe me PD, kushërinjtë e Monikës dhe Ilirit, bëheshin zëvendësministra, apo drejtor SGS etj! KLSH i ka kapur me dhjetëra shkelje, ndërsa rrogat e tyre ishin stratosferike! Çorbat e tyre në këto dikastere vijuan për shumë kohë. Ka diferencë të madhe apo jo?! Po përse po gënjen një pjesë e opozitës?! Gjithçka është frikë dhe të ndodhur para arrestimeve të mundshme të tyre dhe të miqve të afërt ata sulmojnë Edi Ramën dhe drejtësinë për ta përdorur si alibi në të ardhmen.
Madje shprehin lista dëshirash se kush duhet të arrestohet, por harrojnë që vetë kanë qenë në zemër të ciklonëve korruptive. Trinomi i sipërpërmendur nuk tha qoftë dhe një fjalë inkurajuese për drejtësinë, ndërkohë ata ishin që pak muaj më parë deklaronin se Saimir Tahiri nuk ka për tu dënuar. Kë të besojmë ata para apo mbrapa vendimit! Duket e qartë se qëndrimet kaotike të trinomit, në fakt tregojnë atë që flitet prej kohësh, se një prej tyre do të ketë radhën nesër!