Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tha në një intervistë për Euronews Albania se nuk do ndalojë derisa çështja e inceneratorëve të zbardhet plotësisht.
“Derisa unë të kem frymë unë nuk e quaj të humbur sepse është një proces që unë do ta vazhdoj, do ta vazhdoj pafundësisht deri kur kjo gjë të shkojë aty ku duhet,” – u shpreh ajo.
Kryemadhi tha se pret që e pakta qeveria shqiptare të ndalojë pagesat.
“Fati si i keq edhe i mirë i kësaj është që kjo vepër nuk mund të parashkruhet për shkak se është një vepër koncesionare e cila ka një afat 30-vjeçar. Pra, deri në vitin 2047 kjo është një vepër penale e kryer dhe e realizuar,” – sqaroi deputetja.
Kryemadhi u shpreh se nuk ka besim se prokuroria do ta zbardhë këtë çështje, edhe pse siç theksoi do të vijojë deri në fund denoncimin e asaj që e quajti aferë korruptive.
“Prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim për inceneratorin e Tiranës ose është shantazhuar nga qeveria dhe nuk po vepron. Unë nuk kam ndonjë besim te prokuroria. Prokurori i ri është administrativ, dosja është ndarë që më parë.
Aty ka të bëjë me vullnetin e drejtësisë për ta zbardhur çështjen. Unë e kam bërë detyrën si qytetare që ta çoj deri në fund. Edhe informimi i opinionit publik është i vështirë me media që kanë përfituar për sponsor nga inceneratori”, tha Kryemadhi.