Ndër 51 viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, Diena Karanxha, Klement Çupi dhe Saimir Greku patën një fije shprese. Diena doli e gjallë nga rrënojat, Klementi bënte shaka me ekipin e shpëtimit, ndërsa Saimiri komunikoi gjatë gjithë kohës me ata që luftonin për shpëtimin e tij. Pavarësisht shpresës, të tre ndërruan jetë.
Skënder Brataj, kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, shpjegoi për ABC News pse ndodhi kështu.
“Problemi i personave që dalin nga rrënojat lidhet me kohën që kanë ndenjur aty dhe sa dëmtime kanë tek indet e buta, pra muskujt. Shkatërrimi i muskujve shkakton çlirimin e emiozinës, e cila futet fillimisht në gjak dhe përfundon në veshka duke mos u eleminuar nga kjo e fundit. Kështu shkaktohet insuficencë renale dhe më pas organet e tjera ndalojnë së funksionuara, duke rezultuar në vdekje, tha Brataj.
Pak minuta më parë për fat të keq ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës 20-vjeçarja që ndodhej në koma.
20-vjeçarja, Xhesika Biqiku ishte në gjendje kritike për jetën dhe mjekët nuk e këshillonin transportimin e saj në një shtet të huaj për të marrë mjekim, për shkak të gjendjes së rënduar.