Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ende shpreson në “reflektimin e autoriteteve shqiptare” për ta lejuar kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës të betohet.
Në një intervistë për televizionin SKAI, Mitsotakis tha se mënyra se si Shqipëria e trajtoi këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet greko-shqiptare.
“Ne kemi folur në vijimësi për çështjen Beleri. Ne kemi shprehur rezervat tona të forta, jo vetëm për faktin se Fredi Belerit nuk i është dhënë mundësia që të betohet gjatë kohës që ishte në paraburgim.
Ende nuk ka vendim përfundimtar, ka vetëm një vendim të gjykatës së shkallës së parë. Ne do të vazhdojmë të ngulmojmë për një proces të drejtë gjyqësor. Më vjen keq ta them, është e ditur se mënyra se si Shqipëria e trajtoi këtë çështje ka ndikuar jo për mirë në marrëdhëniet greko-shqiptare”, Mitsotakis.
Kyriakos Mitsotakis: Po, negativisht. Nuk është diçka që ne e donim. Dhe unë ende shpresoj, që kjo çështje mund të zgjidhet.
Greqia ende mban në fuqi veton brenda BE-së për mos lejimin e nisjes së shqyrtimit të kapitujve të anëtarësimit me Shqipërinë.
Televizioni grek SKAI, ka publikuar edhe faktin se emri i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, burgimi i të cilit i solli në pikën e thyerjes marrëdhëniet me Shqipërinë mund të jetë kandidat i Mitsotakis për eurodeputet në zgjedhjet europiane të qershorit.
Mbështetësit e këtij skenari besojnë se një kandidim i mundshëm i Belerit do t’i japë pikë të rëndësishme në elektorat qeverisë greke, duke ushqyer ndjenjën e shumicës së madhe të qytetarëve grekë që e konsiderojnë si të padrejtë burgosjen e tij.
Pikë referimi për çdo zhvillim do të jetë vendimi i të martës se javës së ardhshme i Apelit të Gjykatës së Posaçme pasi shkalla e parë dha dënimin ndaj Belerit me dy vite burg.