Presidenti Bajram Begaj ka refuzuar ftesën e kryeministrit grek Kyriakos Mistotakis, i cili do të zhvillojë një darke informale të hënën më 21 gusht me liderët e Ballkanit Perëndimor në Athinë.
Duke ju përgjigjur interesit të Report Tv, presidenca ka bërë me dije se presidenti Bajram Begaj ka refuzuar ftesën e kryeministrit grek që të marrë pjesë në takimin infomral, për shkak të axhendës së përcaktuar më herët.
‘Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët.’- thuhet në përgjigjen e presidencës.
Kryeministri Edi Rama nuk u ftua në takim! Nuk dihet nëse ky refuzim i Greqisë për të ftuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, ka lidhje me arrestimin e Fredi Belerit dhe reagimin e kreut të qeverisë shqiptare për protestën e kryebashkiakut të Athinës në Himarë ku kërkonin lirimin e Belerit, i arrestuar për blerje votash.
Rama u kërkoi protestuesve, mes të cilëve ishin edhe kryebashkiaku i Athinës dhe Selanikut, që t’i binden ligjit dhe se nuk mund të kundërshtojnë vendimet e një gjykate të një shteti demokratik.
Sipas ‘Protothemës’ kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, i Kosovës Albin Kurti, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borgiana Christo, ndërsa lideri i Sllovenisë nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht.
Të pranishëm do të jenë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Dreka informale do të mbahet me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”.
Sipas medias greke, kjo drekë ka si qëllim që kryeministri grek të riafirmojë mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit, e cila bëhet edhe më e rëndësishme në mjedisin e ri të sfidave të krijuara nga pushtimi rus i Ukrainës.