Ministri Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur dje në mbledhjen e qeverisë u miratua një paketë financiare e rëndësishme që siguron tre elementë për industrinë ushtarake. “Kemi një lajm shumë të mirë për industrinë ushtarake.
Është miratuar një paketë financiare e rëndësishme që siguron tre elementë, e para shlyerjen e të gjitha detyrimeve që kanë pasur ndër vite tre komplekset e industrisë ushtarake shqiptare në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës”, theksoi ai.
Vengu u shpreh se “me miratimin e kësaj pakete i japim fund një kalvari shumë të gjatë me detyrime të parapembetuar të pashlyera ndaj punonjësve, ish-punonjësve, njerëz që kanë një kontribut të çmuar në industrinë ushtarake sikundër i japim fund një kalvari të gjatë që këto kompani shtetërore kishin ndaj bashkive”.
Ndaj, vijoi Vengu, edhe paketa financiare e miratuar në aktin normativ vjen edhe në mbështetje të pushtetit vendor dhe ndërmarrjeve shtetërore me detyrime të akumuluara. “Pika e tretë e rëndësishme është që akti normativ i jep financimin e nevojshëm krijimit të kompanisë shtetërore për industrinë ushtarake.
Ligji hyri në fuqi para pak ditësh dhe tani kemi edhe paketën financiare që mundëson rikrijimin, riformatimin dhe rijetësimin e një kompanie shtetërore , e cila do të ketë të gjithë instrumentet ligjore dhe financiare për të hyrë në marrëveshje bashkëpunimi me investitorë të huaj nga vendet e NATO-s për të rijtësuar këtë industri kaq të rëndësishme”, tha Vengu.