Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi ka marrë sot pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare”. Në fjalën e tij ministri Lleshi theksoi se Policia e Shtetit duhet t’i nënshtrohet një programi rrënjësor transformimi dhe modernizimi, i cili do të mundësojë që ajo të bëhet e aftë për të përballuar sfidat e një shoqërie, që përditë e më tepër ekziston edhe në realitet virtual.
“Për të ndodhur ky ndryshim i madh dhe i shpejtë duhet që në radhë të parë Akademia e Sigurisë të shndërrohet në promotor të këtij shndërrimi modernizues. Kurrikulat e saj duhet që në mënyrë progresive të krijojnë hapësirë për teknologjinë e informacionit, për programimin kompjuterik, për financat, për ekonominë digjitale. Këtu duhet të mësohet mirë përdorimi i droneve, i sensorëve të tjerë, i sistemeve inteligjente të analizës së informacionit, siguria kibernetike, etj.. Dhe bashkë me hapësirën për këto subjekte shkencore Akademia duhet të hapë dyert dhe të bëhet tërheqëse për një profil të ri studentësh dhe pedagogësh, të cilët janë futur ndërkohë në botën e re, që zotërojnë njohuritë, mjeshtëritë dhe pasionin e domosdoshëm për të lundruar dhe për të pasur sukses në këtë realitet të ri. Por një gjë është faktor kritik në këtë proces – Koha”, theksoi Lleshi.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm:
Së pari ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë veprimtari, e cila është në vijim të një tradite shumë të mirë të Akademisë së Sigurisë dhe me këtë rast dëshiroj të shpreh vlerësimet më të mira organizatorëve të konferencës, Akademisë së Sigurisë dhe Qendrës Kërkimore Shkencore dhe bashkëpunëtorëve të saj nga vendi dhe nga bota.
Sipas një burimi të hapur informacioni, vetëm dje më kanë informuar se në botë janë regjistruar rreth 11 milion sulme kibernetike, me natyra nga më të ndryshmet, nga sulmet financiare, ideologjike, sabotimi i bizneseve, dëmtimi i reputacionit të kompanive apo thyerja e masave të sigurisë për autoritetet dhe rrjetet shtetërore.
Dhe kjo është vetëm pjesa që shihet dhe mund të ketë shumë më tepër që nuk shihet. Por në fakt bota sot nuk përballet thjesht me krimin kibernetik për të cilin ju i keni kushtuar këtë konferencë, por me luftën kibernetike në tërësi. Por për fat të keq, ose për shumëkënd ajo ende nuk ekziston thjesht për faktin që nuk shihet. Dhe ky është një iluzion mjaft i rrezikshëm.
Edhe Shqipëria është një vend me risk shumë të lartë në fushën kibernetike, i cili kushtëzohet si nga shkalla shumë e lartë e penetrimit të internetit, edhe të shërbimeve online dhe të teknologjive të komunikimit.
Nga ana tjetër Shqipëria po bën edhe një përparim shumë të madh në këtë fushë, pra në fushën e aplikimit të teknologjive moderne të komunikimit, të internetit etj..
Qeveria shqiptare është në një proces ambicioz të modernizimit të shërbimeve për qytetarët, përmes ofrimit të tyre, përherë e më shumë, përmes platformave elektronike.
Përhapja e gjerë e teknologjisë së informacionit dhe internetit në vend si dhe rritja e shpejtë e ofertës së shërbimeve online për qytetarët, rrit në mënyrë të ngjashme dhe riskun e përballjes me kërcënimet kibernetike për individët, për bizneset, për institucionet dhe për shoqërinë në tërësi.
Në vendin tonë, në vitin 2017, e krahasuar me vitin 2010, sipas të dhënave të Policisë, janë evidentuar 3.3 herë më shumë vepra penale në fushën e krimeve kompjuterike. Pra është figura e krimit e cila ka rritjen më të lartë në krahasim me të gjithë figurat e krimit me të cilat përballet Policia e Shtetit shqiptar dhe në të njëjtën kohë niveli i zbulueshmërisë së tyre është vetëm 27%. Pra, rreth 3 herë më i ulët se mesatarja e zbulueshmërisë së krimeve të tjera.
Mjaftojnë këto shifra për të kuptuar se me çfarë sfide përballemi dhe sa do të jetë serioziteti i përballjes në të ardhmen. Pra, 3 herë më shumë krime dhe 3 herë më pak zbulueshmëri në këtë domen. Dhe këtu qëndron një ndër sfidat më të rëndësishme për të gjitha institucionet e sigurisë dhe në veçanti për Policinë e Shtetit shqiptar.
E dimë të gjithë se në dekadat e fundit, botës sonë fizike i është shtuar dhe një botë e re, një botë virtuale ndaj dhe Policia si dhe institucionet e tjera të sigurisë, është e detyruar të bëhet përherë e më pranishme në këtë botë të re. Ajo duhet të jetë e pranishme në autostrada digjitale, në qytete digjitale, në mjediset publike digjitale e kështu me radhë. Dhe për të ndërtuar një prani të re dhe krejt të veçantë kërkohen mjete dhe metoda krejt të panjohura më parë. Që të ndodhë kjo duhet një qasje krejtësisht e re, madje do të thosha një qasje revolucionare.
Policia e Shtetit duhet t’i nënshtrohet një programi rrënjësor transformimi dhe modernizimi, i cili do të mundësojë që ajo të bëhet e aftë për të përballuar sfidat e një shoqërie, që përditë e më tepër ekziston edhe në realitet virtual.
Për të ndodhur ky ndryshim i madh dhe i shpejtë duhet që në radhë të parë Akademia e Sigurisë të shndërrohet në promotor të këtij shndërrimi modernizues. Kurrikulat e saj duhet që në mënyrë progresive të krijojnë hapësirë për teknologjinë e informacionit, për programimin kompjuterik, për financat, për ekonominë digjitale.
Këtu duhet të mësohet mirë përdorimi i droneve, i sensorëve të tjerë, i sistemeve inteligjente të analizës së informacionit, siguria kibernetike, etj.. Dhe bashkë me hapësirën për këto subjekte shkencore Akademia duhet të hapë dyert dhe të bëhet tërheqëse për një profil të ri studentësh dhe pedagogësh, të cilët janë futur ndërkohë në botën e re, që zotërojnë njohuritë, mjeshtëritë dhe pasionin e domosdoshëm për të lundruar dhe për të pasur sukses në këtë realitet të ri. Por një gjë është faktor kritik në këtë proces – Koha.
Për ata që e njohin ligjin e Gordon Moor është e ditur se shpejtësia e ndryshimit në këtë realitet është eksponenciale. Pajisjet kompjuterike bëhen përherë e më të vogla në përmasa, çmimi i tyre ulet përherë e më shumë, ndërkohë që kapacitetet e tyre rriten në mënyrë eksponenciale. Pra, ritmi i ndryshimit në këtë realitet është jashtëzakonisht i lartë, madje shpeshherë edhe marramendës për shumëkënd. Ai është eksponencial ndërkohë që ne njerëzit jemi të programuar, të krijuar për të menduar dhe vepruar në mënyrë lineare. Por ky destinim i yni për të menduar dhe vepruar në këtë mënyrë, pra në mënyrë lineare, rrezikon që të na lërë përherë jashtë loje, nëse nuk gjejmë zgjidhjet e duhura.
Përballimi i kësaj sfide, në dukje të humbur, mund të bëhet vetëm nëpërmjet një qasjeje inteligjente, e cila bazohet te ndërtimi i programeve dhe i ekipeve, të cilat krijojnë shanse për të tejkaluar limitet tona individuale. Hartimi i një strategjie kombëtare për sigurinë kibernetike do të jetë një ndër hapat e rëndësishëm, i cili do të përcaktojë objektivat, rrugët dhe burimet e nevojshme për të realizuar këtë qëllim. Në këtë kuadër Policia e Shtetit dhe posaçërisht Akademia e Sigurisë do të kenë rol të rëndësishëm për të luajtur.
Duke përfunduar i uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve vendas dhe veçanërisht miqve të huaj në këtë konferencë, si dhe pres me interes të lartë përfundimet saj, të cilat do të përfshihen në procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, si dhe në procesin e hartimit të programit të modernizmit të Policisë së Shtetit shqiptar. Ju faleminderit!