Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias viziton të hënën Tiranën, duke e nisur ndalesën e tij në Shqipëri me një takim me kryepeshkopin Anastas, për ta vazhduar më pas me takimin me kryeministrin Edi Rama dhe homologen Olta Xhaçka.
Duket se këtë herë Athina është e interesuar dukshëm për një qasje të re me faktorin shqiptar, i cili ka dhënë prova bindëse se është faktor stabiliteti dhe prosperiteti në rajon,çka u duk qartë në zgjidhjen e emrit të Maqedonisë së Veriut, por edhe situatën aktuale me luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike.
Sipas gjasave, pala greke ka marrë edhe ” ok” amerikane pas vizitës së Mitsotakis pak ditë më parë në ShbA,për të nisur një “ofensive” miqësore me vendet e Ballkanit Perëndimor, pikërisht për të pakësuar influencën e Rusisë dhe hegjemoninë e Serbisë në rajon, ndaj mbështetja e faktorit shqiptar i cili tashmë është vendimmarrës edhe më Maqedoninë e Veriut, edhe në Malin e Zi përveç Kosovës dhe Shqipërisë, konsiderohet vendimtare.
Njohës të mirë të politikës së Athinës i thanë Top Channel se Nikos Dendias vjen në Tiranë i interesuar për të rritur ndjeshëm bashkëpunimin dypalësh. Ai sjell me vete plane për projekte të përbashkëta energjetike e infrastrukturore si dhe mbështetje të vendit tonë në një sërë nismash dhe projektesh të rëndësishme ekonomike rajonale.
Bie ne sy fakti që këtë herë, Athina nuk ka në krye të agjendës së saj zgjidhjen e çështjes së detit, jo vetëm sepse palët i janë drejtuar Hagës, por edhe sepse në presidencë ndodhet ende Ilir Meta, që nga grekët shihet tashmë si minues i zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve.
Madje Nikos Dendias nuk ka përfshirë në agjentën e tij asnjë kontakt me presidentin dhe aleatët e tij politikë, duke dhënë kështu një mesazh të qartë se Athina nuk ia harron refuzimin e pa kuptimtë që presidenti i bëri diskutimeve të pak viteve më parë mes dy vendeve, pavarësisht se atëherë Greqia qeverisej prej Aleksis Tcipras.
TCH ka mësuar se një tjetër çështje që grekët tashmë janë shumë të interesuar të zgjidhin sa më shpejt, madje tashmë duket se po nxitohen ta përfundojnë brenda mandatit aktual të Mitsotakis, është heqja e ligjit të luftës mes dy vendeve. Një paradoks që mban të gozhduara marrëdhëniet dypalëshe,që për Athinën tashmë është kthyer në bumerang.
Burimet i thanë TCH se “dhuratat” greke nuk përfundojnë këtu. Diskutimi për marrëveshjen e pensioneve për emigrantët shqiptarë në Greqi kanë avancuar, dhe duket se do të përfundojnë në një të ardhme jo të largët, çka do t’i japë fund persekutimit masiv të të siguruarve shqiptarë në skemat greke të pensioneve të cilët nuk përfitonin pension nëse nuk plotësonin ditët e plota të punës në vendin fqinj.
Por ajo që Athina tashmë ka vendosur,është njohja e Kosovës prej Greqisë, një vendim që do të shpallet me gjasa brenda vitit.