Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, deklaroi për gazetën gjermane ”Welt am Sonntag” se Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi dy vendet kanë kryer detyrat e kërkuara dhe meritojnë të shpërblehen.
“Refuzimi do të rrezikonte seriozisht besueshmërinë e BE-së, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po të krijojmë një vakuum politik, atë do ta mbushin pa shumë ceremoni aktorë si Rusia, Kina, Turqia apo Lindja e Mesme. Partnerët tanë nuk duhet të shkelin fjalën e dhënë”, tha ai.
“Më 15 tetor ne duhet t’i hapim dritën jeshile negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dy vendet kanë përmbushur detyrat dhe kjo duhet shpërblyer. Kemi marrë zotimet tona dhe tani duhet t’i mbajmë”, theksoi Roth.