Javën e kaluar, në fshehtësi dhe shpërfillje të aktorëve kryesorë të sistemit përmbarimor, ministrja Etilda Gjonaj dhe ministri Arben Ahmetaj, kanë nënshkruar ndryshimin e tarifave të shërbimit përmbarimor gjyqësor (privat dhe shtetëror), duke i ulur ato në nivele të pabesueshme.
E gjitha për të favorizuar bankat e nivelit të dytë, ku siç edhe dihet pushtetarët e sotëm kanë interesa të ndërlidhura fort, deri-deri edhe ortakë apo aksionerë. Firma e Ahmetajt dhe Gjonajt fut në kolaps total shërbimin përmbarimor dhe njëherazi e çon atë drejt falimentimit. Sigurisht që efektet do jenë të gjithanshme dhe negative, pasi shërbimi përmbarimor privat vitet e fundit ka rritur efikasitetin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Një shërbim përmbarimor me tarifa të papërfillshme domosdo do ulte efektivitetin dhe për rrjedhojë vendimet gjyqësore do kyçeshin në kalendat greke. Një sinjal ky jo fort i dobishëm në kushtet kur flasim për reformën e madhe të sistemit të drejtësisë…
Përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, përmes një deklarate publike, kanë vënë menjëherë në dijeni Kryeministrin Rama për aferën e dy ministrave të kabinetit qeveritar. Ndërkohë, reagime ka pasur dhe mes përmbaruesve gjyqësor shtetërorë, edhe pse këto të fundit kanë pasur frikë të dalin hapur, ndërkohë që nën zë kanë shprehur shqetësimin e shkatërrimit të sistemit përmbarimor gjyqësor në vend, nga nisma e sapo formalizuar nën diktatin e bankave. Burime nga Drejtoria e Pëgjithshme e Përmbarimit, bëjnë me dije se udhëzimet janë kundërshtuar edhe prej tyre, por forca e titullarëve të dy ministrive i ka detyruar të heshtin.
Kundrejt përfitimeve të paligjshme, Arben Ahmetaj ka ndryshuar me qëllim e vetëm kriminal, përfitimin e tij personal dhe falimentimin e shërbimit përmbarimor privat, duke bërë hapa pas në historinën e suksesit të shërbimit privat, në rritjen e lartë të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Shërbimi Përmbarimor Privat i krijuar rreth 13 vite më parë, është një histori suksesi dhe bëri një revolucion në rritjen e numrit të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore dhe lehtësimin e barrës së shtetit. Por mesa duket, çdo ditë z. Ahmetaj, me bekimin edhe të Edi Ramës, po punon për falimentimin e shërbimit permbarimor privat, duke e finalizuar këtë me goditjen përfundimtare të këtij shërbimin, në miratimin e udhëzimit të ri bashkë me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Kryeministri Edi Rama ka në dorë mundësinë të bllokojë këtë sipërmarrje mafioze të Arben Ahmetajt dhe Etilda Gjonajt.
(Udhëzimi i Ahmetajt dhe Gjonajt për ndryshimin e tarifave të shërbimit përmbarimor privat)