Të premten një tjetër minator (M. Hidri) humbi jetën në zgafellat e nëntokës së Bulqizës. Ishte viktima e radhës, një vdekje e paralajmëruar. Prej kaq vitesh ndodhin llahtari në Bulqizë, vdekje dhe plagosje si në luftë, askush nuk e merr mundim të shtrojë ndonjë plan për zgjidhje.
Mungojnë tërësisht kushtet e sigurimit teknik dhe ky është shkaku kryesor i vdekjeve në Bulqizë, por bandat kriminale që kanë marrë peng minierën dhe kupola mafioze e Tiranës që ka në dorë lejet e shfrytëzimit, së bashku me oligarkët, deputetët dhe ministrat që kanë ndyer duart e tyre në vjedhjen e kromit, pas cdo aksidenti në minierë me pasojë vdekjen, nxitojnë të deklarojnë se fajtor ishte … viktima.
62-vjecari që humbi jetën të premten, një banor i zonës, familjar që punonte për të mbajtur familjen e tij me bukë, ishte viktima e radhës në minierën që po i “ha” njerëzit në Bulqizë një e nga një. Në asnjë vend tjetër vdekja nuk është kaq “e shtëpisë” sa në Bulqizë, e sërish nuk merret asnjë masë. Përkundrazi, vidhet, vidhet dhe vetëm vidhet. Vjedhin të gjithë bandat politike të Tiranës, të cilat hedhin valle në vdekje.
“Pamfleti” ka përcjellë me shqetësim të madh këtë skandal të jashtëzakonshëm, këtë dramë njerëzore që po përjeton Bulqiza, ku nga njëra anë është grabitja e kromit prej bandave të veshura me pushtet, e nga ana tjetër fatkeqësitë në minierë që janë pasojë e menaxhimit të mbrapshtë e pa kushte.
Për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje, miniera do të vijojë të “hajë” njerëzit, e nga ana tjetër do të mbushë xhepat e Ilir Metës, Spahijve etj, apo dhe oligarkëve të tipit Samir Mane, njerëz që kanë mbi kurrizin e tyre mëkatin e bërë mal dhe nëmën e madhe që u ka lëshuar Bulqiza dhe Shqipëria mbarë./Pamfleti.com