Qeveria hungareze ka reaguar për herë të parë për strehimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsion. Miku i ngushtë i Sali Berishës, Viktor Orban, refuzon të ketë ndihmuar ish-kryeministrin e arratisur të Maqedonisë për t’u larguar nga atdheu.
Gergely Gulyas, shefi i shtabit të kryeministrit Viktor Orban, tha të enjten se Nikola Gruevski, i cili u largua nga Maqedonia për të shmangur një dënim dyvjeçar për korrupsion, deklaroi synimin e tij për të paraqitur azil në një zyrë diplomatike hungareze të paidentifikuar jashtë Maqedonisë.
Maqedonia i ka bërë thirrje Hungarisë të ekstradojë Gruevskin, i cili ishte kryeministër nga 2006-2016. Gulyas thotë se autoritetet “nuk kishin të bënin aspak” me largimin e Gruevskit nga Maqedonia. Ai gjithashtu garantoi se Gruevski nuk mund të largohet nga Hungaria.
Gulyas thotë se për arsye sigurie, Gruevski u pyet në Budapest rreth kërkesës së tij për azil në vend të një zone tranziti kufitare ku shumica e azilkërkuesve presin që kërkesat e tyre të vlerësohen.