Marjan Pepa, 52 vjeç, u shpreh se preferon të qëndrojë në burg, ku ndihet i sigurt dhe i mbrojtur. Megjithatë, ai vazhdon të përsërisë se është ai që shkaktoi vdekjen e mikut të tij, Artan Kaja, i njohur si Toni. Viktima, një sipërmarrës shqiptar dhe pronar i një kompanie në Lunata, u vra me një plumb në kokë më 7 janar në Itali.
Pavarësisht arrestimit, Pepa refuzon të zbulojë motivet e aktit të rëndë. “Ai thotë që është i hutuar dhe nuk dëshiron të përgjigjet për vrasjen e bashkatdhetarit,” raportojnë mediat italiane. Madje, ai nuk ka ndarë detaje as me avokaten e tij.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Pepën, ndërsa autoritetet italiane vazhdojnë hetimet. Ende nuk është gjetur arma e përdorur për të vrarë Tonin. Karabinierët kanë kryer kontrolle në fabrikën e viktimës dhe pranë një zone jashtë varrezave, që mendohet se Pepa mund ta ketë përdorur për t’u larguar. Kjo zonë nuk mbulohet nga kamera survejimi, çka e bën të vështirë rindërtimin e ngjarjes.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që arma t’i jetë dorëzuar një personi të tretë, ndërsa po kërkohet edhe celulari i Pepës, që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit.
Dy bashkatdhetarët dikur ishin miq të ngushtë. Artan Kaja ndihmoi Pepën të sistemohej në Itali, duke i ofruar një vend për të jetuar dhe një punë si shofer kamioni. Por, me kalimin e kohës, marrëdhënia e tyre u përkeqësua.
Sipas burimeve, Pepa ndjeu zili për suksesin e Kajës, i cili kishte ndërtuar një biznes të vogël dhe një jetë të qëndrueshme familjare. Verën e kaluar, një konflikt shpërtheu mes tyre pas komenteve që Pepa bëri për bashkëshorten e Kajës. Situata u tensionua më tej kur Pepa humbi punën dhe fajësoi mikun e tij për gjendjen e tij të rënduar ekonomike. Pakënaqësitë e grumbulluara për vite u kthyen në hakmarrje fatale.
Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse vrasja ndodhi përballë apo nga pas, një detaj që mund të ndihmojë në rindërtimin e saktë të dinamikës. Megjithatë, për mediat italiane, brutaliteti i ngjarjes ngjan me një larje hesapesh në një kontekst kriminal.