Ishte një përvjetor që shkrova për bablokun Ndrenika. Sot u kujtova e i thashë vetes a mundesh të hedhësh dot në pak rreshta madhështinë e një gjiganti si ai? Krejtësisht e mpakur mendja dhe dora ime për të dhënë çuditë artistike të Ndrenikës.
Kam dëshirë të sjell në mëndje realizimet e skenës që janë të shumtë dhe njëri më i arritur se tjetri. Ky babloku ka ndërtuar njeriun dhe artin në harmoni vit pas viti. Sa më shumë krijonte karaktere nga dramaturgjia botërore, i shtoheshin personazhet shqiptarë në ekran dhe madhështia si njeri.
Nuk kam rastisur herë tjetër kësi binomi kaq të fuqishëm, ngjitja e emrit me personazhet. Sigurisht ke kënaqësi për këtë gjë dhe si për dreq nuk kam rastisur ziliqarë për Ndrenikën, nga të gjitha shtresat e shoqërisë, as dje as sot.
Po çfarë dreqin ka ky, që si publiku edhe regjisorët rendin ta kenë mik?
Epo ta dish, as unë e askush tjetër nuk të ka inat, ore Berti! Si është jeta kur nuk të ka inat njeri? Po të shikoja para ca vjetësh në një dramë me “grekun” Viktor Zhusti, shokë klase ju, brenda një profesioni me rivalitet të pashmangshëm. Epo edhe kur ai të donte, u dorëzova. Këtë njeri vetëm e duan thashë.
Unë dhe Natasha po se po, se ke qënë edhe aktor te “Mësonjëtorja”, apo “Plumba Perandorit”, po ty të mbajnë në gojë gjithë regjisorët dhe bëjnë garën mes tyre se ku ke qënë më mirë.
Te Kumbaro, prefekti i “Koncertit 36”, apo te Vangjeli i “Përrallës” me Anagnostin? Te “Rrugë të bardha” apo karrocieri te “Nëntori i dytë” me Gjikën? Te Llano i Teodor Laços, me V. Priftin apo “Shi në plazh” po e Laços? Apo “Lumi i vdekur” e Jakov Xoxës? Apo te ” Mësonjtorja” M.Fejzo, Apo të “Shtigje lufte” i P. Milkanit?
Po të kthehemi në teatër, bëre golin më të bukur në kohë shtesë me “Prefektin” e Levonjës, që deri atëhere kujtonim se ishte shkruar për Mihal Popin. Me sa duket nuk kanë shkruar për ty as Majakovski, i Kujtim Spahivoglit, as Artur Miler, as Pirandelo, as Dushan Kovaçeviç as, as, as…
Me dhjetra autorë që nga Shekspiri deri më sot, nuk shkruan për ty, por ti i bëre të mbeten nën thundrën tënde, pasi harku i violinës tënde luan në skenë dhe para kamerës, me lehtësi siç lëvizim dorën. Ti krijon me virtuozitet karakteret që nuk flasin, por vallëzojnë valsin e triumfit Ndrenika.
Kujtime personale nuk kam, pasi gjithë jetës je munduar të bësh intriga mes nesh, po nga që nuk kishe talent dështoje pa e nisur mirë. Talentin e kishe për skenë dhe ekran. Ke lindur me këmishë o kokë madh!