Korrupsioni ka paralizuar gjithë sistemin e drejtësisë. Plot 21 gjyqtarë e prokurorë kanë ngelur në veting dhe kjo ka bërë që të krijohen probleme në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Por me vendimet e marra së fundmi, ka rënë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në dhjetor 2017 u zgjodhën me short 9 anëtarët e këtij organi, por nga këta 5 kanë ngelur në veting, 1 e ka kaluar, ndërsa 3 të tjerë e nde nuk kanë hyrë në proces.
Të martën u shkarkua Artan Broci dhe largimi tij e nxjerr jashtë loje KED, pasi me 4 anëtarë nuk merr dot asnjë vendim. Gazeta e raportoi se që kur KED kishte mbetur me 6 anëtarë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ju drejtua me një letër Metës, ku kërkonte që ai të hidhte shortin për vendet vakante, ose ti jepte këtë të drejtë Parlamentit. Ilir Meta ju përgjigj se KED ka ende mundësi të marrë vendime.
Por me goditjen që KPK i bëri ditën e martën, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk merr asnjë vendim pasi është me 4 anëtarë. Megjithatë nuk ka pasur asnjë sinjal nga Meta për të ndërhyrë në këtë rast. Gazeta ka mësuar nga burime pranë Presidencës se Meta do ja kalojë të drejtën e shortit Parlamentit, por dilemat e tij janë nëse duhet hedhur apo jo shorti pa marr vendim Kolegji i Apelimit.
Shumë prej emrave të shkarkuar nga vetingu, përfshirë dhe anëtarë të KED i janë drejtuar Kolegjit të Apelimit dhe ai merr vendim të formës së prerë. Por KPA punën do e nisë në shtator dhe deri më tani ka dhënë sinjale se po i zvarrit shumë çështjet. Pra nëse Meta pret vendimet e Apelit, atëherë me shumë gjasë KED nuk merr dot vendime deri në dhjetor, muaj në të cilin duhet të hidhet shorti i ri. Sipas ligjit dhe Kushtetutës, KED ka mandat një vjeçar dhe ai hidhet çdo dhjetor. Por nëse pritet dhjetori, atëherë emrat e rinj që do zgjidhen do futen sërish në veting dhe procesi mund të marrë 2-3 muaj kohë. Që do të thotë se deri në pranverë ky organ bëhet jo funksional.
Pasojat
Nëse KED nuk funksionon bllokohen dy organe Gjykata Kushtetuese dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Kushtetuesja sot është me 1 anëtar dhe sipas ligjit, emrat zgjidhen nga Presidenca, Gjykata e Lartë dhe Kuvendi. Por që të tre këto institucione duhet më parë të marrin aprovimin e KED, i cili bën renditjen e kandidatëve. Pa KED nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Pyetja që mund të shtrohet është se çfarë ndryshimi do ketë nëse në dhjetor do zgjidhen emrat e rinj?
Nëse që në gusht rihidhet shorti, atëherë KPK me shumë gjasë deri në tetor mbyll vetingun dhe për ta dhe KED në fund të vitit ka të drejtë vendimmarrje dhe para se të hidhet shorti i dhjetorit zhbllokon ngërçi në Kushtetuese. Pra nëse hidhet tani shorti, në fillim të 2019 me shumë gjasë mund të zgjidhen emrat e rinj të Kushtetueses dhe zgjidhen ngërçet. Por pse Meta nuk e hedh shortin? Çfarë fiton ai nga bllokimi i KED? Dyshimet janë se bëhet fjalë për dy çështje.
Sa më shumë rri e bllokuar KED, aq më shumë vijon ngërçi në gjyqësor dhe kjo shton alibitë e opozitës për të sulmuar mazhorancën dhe rrëzuar reformën në drejtësi. Vetë PD ka propozuar një paketa me 7 kushte pikërisht për shkak të situatës në gjyqësor. Çështja e dytë është ajo e paktit me Greqinë. Meta ka dhënë sinjale se do të presë Gjykatën Kushtetuese. Nëse ajo shtyhet gjatë, atëherë dhe pakt nuk ka dhe kreu i shtetit rrit kushtet ndaj Ramës. Pra duket se reforma në drejtësi është kthyer në një luftë politike dhe të gjithë palët duan që të fitojnë nga pak.
Kliti Topalli