Ilir Meta nuk e kurseu Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin duke deklaruar se kanë përgjegjësi për krizën politike. “Patjetër! Absolutisht! Sepse ata kanë rënë viktimë e kësaj politike të faktit të kryer, me ose pa dashje, koha do ta sqarojë këtë gjë, se unë nuk mbaj dot përgjegjësi as për njërin dhe as për tjetrin, kanë bërë këtë lojë, sepse kanë lejuar uzurpimin e të gjitha institucioneve dhe të hapësirave demokratike…” tha ai.
Ilir Meta ka treguar sot për herë të parë se kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka gënjyer sipas tij lidhur me çështjen e djegies së mandateve nga opozita. Gazetari: A ka pasur një marrëveshje mes jush dhe zotit Berisha?
Presidenti Meta: Zero marrëveshje midis meje dhe Berishës! Zero marrëveshje midis meje dhe Lulzim Bashës! Zero marrëveshje mes meje dhe Monika Kryemadhit! Dhe mund t’ju them se edhe ajo më ka gënjyer për çështjen e mandatave kur unë kam qenë në Gjermani dhe i kam shkruar në “ëhatsapp” se kjo është një marrëzi, nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Ajo më tha: pa problem se edhe po ndodhi kjo mund të jap vetëm unë dorëheqje për arsye solidariteti, etj., po ata të tjerët nuk do t’i lënë mandatet. Dhe në fakt ndodhi gjë tjetër.
Gazetari: Ju ka gënjyer zonja Kryemadhi?
Presidenti Meta: Që më ka gënjyer është çështja e saj, nuk është ky problemi im. Çështje transparence.
Gazetari: Po me zotin Berisha keni folur për këtë situatë? Qoftë edhe si konsultim?
Presidenti Meta: Unë qëndrimet e mia ua kam thënë me kohë, qyshkur kur e kanë hedhur idenë e djegies së mandateve prej një viti e ca, që kjo është një rrugë tepër e gabuar dhe e kam thënë edhe publikisht shumë kohë para se të ndodhte kjo gjë, që mos mendoni që askush në Bruksel nuk do të qëndrojë pa gjumë se do të djegë opozita mandatet parlamentare. Se kur nuk ndjenjë pa gjumë ata, që u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm në mënyrën më antikushtetuese dhe më të shëmtuar këtu dhe kur nuk ndenjën pa gjumë ata që unë kam 3 vjet që u them se do të mbetemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe kjo do të nxjerrë çdo gjë jashtë kontrollit e do të përshkallëzohet kushtetuese, etj., sigurisht që nuk kishte të qëndronin pa gjumë ata se lanë këta mandatet parlamentare dhe ikën. Ata përkundrazi u gëzuan dhe e nxitën këtë proces të ndodhte brenda 24 orësh që të merrnin mandatet e tjera këta të tjerët dhe të dilte opozita që shpëtonte Shqipërinë.
Gazetari: Gabim është mos hyrja në zgjedhje dhe t’i japësh sot të drejtën një force politike që të administrojë e vetme 61 njësitë vendore në Shqipëri, është skandaloze. E kam fjalën për opozitën që e bëri këtë duke mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore…
Presidenti Meta: Opozita ua ka dhënë të gjitha atyre. Ama, këto që mori në zgjedhjet lokale mazhoranca është pushtet i paligjshëm, siç janë edhe shumë gjëra të tjera të paligjshme./Shqiptarja.com