Ilir Meta paralajmëron zhvillime të reja në skenën politike. Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit ndau një video nga konferenca që mbajti për gazetarët, e ku tha se “pseudo opozitë” nuk do të ketë më kurrë.
“E ardhmja e opozitarizmit do të jetë krejt ndryshe nga deri më tani. Nuk do të ketë më pseudo-opozitë, që ju ikën betejave dhe që është shembulli më i keq i respektimit të parimeve demokratike brenda saj, duke favorizuar cenimin e demokracisë dhe legjitimuar për fat të keq, kapjen e shtetit dhe krijuar gjoja idenë se, nuk ekziston një alternativë e opozitës.
Opozita është kudo, në çdo rrugë dhe në çdo rrugicë të Shqipërisë”, shkruan ai. Më herët gjatë kësaj të premte, presidenti në ikje, Ilir Meta i cilësoi banale thirrjet e kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Basha kundrejt SPAK për të hetuar Berishën.
Gjatë konferencës për mediat, Meta tha se nuk do të merret me çështje që flasin për raporte të vjetra. “Nuk kam dëshirë të merrem me çështje të cilat i konsideroj banale dhe të cilat tregojnë një raport shumë të vjetër midis politikës dhe drejtësisë aq më tepër kur vjen nga ajo politikë që do sillte drejtësinë e re dhe aq të ëndërruar.
Çdo politikan kur ka fakte vepra të shpërdorimit të detyrës falsifikimit e krimit i çon në institucionet e drejtësisë. Unë kam çuar mjaft dokumente dhe këtë duhet të bëjë çdo politikan serioz, ndërsa përpjekje për të dhënë udhëzime nga kongresi i PS se deri ku e kanë limitin dhe se si të bëjë drejtësi me regji janë përpjekje e dëshpëruar për të shmangur përgjegjësitë nga shmangia e shtetit. Është detyra e drejtësisë të tregojë integritet”, nënvizoi Meta.