Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja e ka cilësuar si një problem serioz kushtetues kandidaturën e dekretuar të Bahri Shaqirit për në krye të KLSH-së.
Manja shprehet në një postim se Shaqiri nuk e plotëson kriterin e kërkuar nga Kushtetuta, të të qenurit ekspert në fushën e financave.
”Mbase zoti Shaqiri ka punuar me financat e LSI-së dhe këtë mund të ketë pasur parasysh kryetari në distancë i LSI-së, presidenti Meta, kur e ka propozuar.
Por e para s’ka të dhëna publike për këtë aktivitet dhe e dyta edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëna LSI-ja, prapëseprapë kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Madje do ta komplikonte atë.”
Teksa shpreh respektin e tij ndaj punës së Shaqirit në krye të SHISH-it, Manja e shikon shqetësuese “manifestimin e përsëritur” të presidentit Ilir Meta për të mos e lexuar në shqip Kushtetutën e vendit.
“Ky po që është një problem edhe më i madh se sa pamundësia për t’i dhënë “OK” kandidaturës së këshilltarit të tij”, shprehet kryetari i Komisionit të Ligjeve.