Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur dje kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. I pranishëm në një aktivitet për dhurimin e gjakut nga zjarrfikësit e Tiranës, presidenti Meta duke u ndalur tek apeli i kreut të Kuvendit për hedhjen e shorit të anëtarëve të KED, la të hapur opsionin se do vijojë ta mbajë peng procesin.
Duke mos pranuar të japë komente të detajuara, presidenti Ilir Meta theksoi për mediat se ai vetë do të vijojë të zbatojë Kushtetutën. “Nuk kam asnjë koment. Unë kam zbatuar dhe do zbatoj gjithmonë ato detyrime kushtetuese dhe ligjore që ka presidenti”, tha Meta.
Një sinjal i qartë ky se kreu i shtetit nuk do të ndërmarrë asnjë hap për të plotësuar vendet vakante të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe për të zhbllokuar ngërçin në sistemin e drejtësisë. Momentalisht KED, nga 9 anëtarë që duhet të ketë, ka ngelur me 4 duke mos marrë kështu dot vendime. Kjo për faktin se 5 anëtarë të këtij organi kanë ngelur në veting, 1 e ka kaluar ndërsa 3 të tjerë nuk kanë hyrë akoma në proces.
Ndërkohë, pak kohë më parë kur KED kishte mbetur me 6 anëtarë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ju drejtua me një letër Metës, ku i kërkonte që ai të hidhte shortin për vendet vakante, ose t’ia jepte këtë të drejtë Parlamentit. Ilir Meta ju përgjigj se KED ka ende mundësi të marrë vendime. Por me goditjen që KPK i bëri Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ky institucion nuk merr dot asnjë vendim pasi është me 4 anëtarë.
Por ndonëse KED është paralizuar, pyetja që ngrihet është se përse po vonon presidenti Meta hedhjen e shortit për vendet vakante? Kjo sepse nëse Meta vendos ta hedhë shortin gjatë shtatorit, emrat e rinj që do të përzgjedhin do të futen ne veting si prioritar dhe procesi i rivlerësimit ndaj tyre do të jetë mbyllur në dhjetor, duke i hapur rrugë kështu funksionimit të Kushtetueses dhe Inspektoratit të Drejtësisë. Por nëse Meta zbaton Kushtetutën dhe e hedh shortin në dhjetor, atëherë pritet që KED të mos funksionojë deri në pranverën e vitit tjetër.
Skenari për të mbajtur pezull paktin e detit
Mos hedhja e shortit nga ana e presidentit Ilir Meta për vendet vakante të KED duket se e ka një skenar dhe ai është pakti i detit me Greqinë. Presidenti Meta shpesh ka deklaruar se para se të japë vendimin për paktin e detit me Greqinë do të marrë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por Kushtetuesja, për momentin ka ngelur me vetëm 1 anëtar, për faktin se shumica e tyre nuk arriti të kalonte procesin e vetingut. Dhe zhbllokimi i Kushtetueses, sipas ligjit, mund të bëhet vetëm nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që presidenti Meta vijon ta mbajë peng.
Sipas ligjit, Kushtetuesja ka në përbërjen e saj 9 anëtarë, nga të cilët, 3 zgjidhen nga Presidenca, 3 nga Gjykata e Lartë dhe 3 nga Kuvendi. Por të tre këto institucione para se të zgjedhin kandidatët duhet më parë që të marrin aprovimin e KED, i cili bën renditjen e kandidatëve.
Pikërisht mosaprovimi i kandidatëve nga ana e KED, i cili vijon të jetë i bllokuar, ka bërë që dhe puna në Gjykatën Kushtetuese të jetë e bllokuar. Por pikërisht kjo gjë duket se i intereson presidentit, i cili duke hedhur shortin për KED në dhjetor mban të bllokuar edhe për një kohë më të gjatë Kushtetuesen duke lënë pezull marrëveshjen e detit me Greqinë.