Gjykata Kushtetuese duket se ka rrëzuar planet e Presidentit Ilir Meta për të emëruar Vitore Tushën në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ditët e fundit ka pasur një debat nëse duhet të bëhet emërimi i zonjës Tusha në krye të KLSH, pasi rrezikohet reforma në drejtësi. Por ditën e djeshme ajo që i ka vënë kapak debatit ka qenë Gjykata Kushtetuese, e cila ka ripropozuar Vitore Tushën për anëtare të KED. Dje Gjykata Kushtetuese propozoi emrat e dy gjyqtarëve si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
“Në përmbushje të detyrimit që buron nga pika 4, e nenit 221, të Ligjit nr 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, publikohet lista e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për të qenë Anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi: Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha”, u shpreh Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese njoftoi se ish-gjyqtari Gani Dizdari nuk plotëson kushtet e parashikuara në ligj, për të qenë anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha janë të vetmit nga Gjykata Kushtetuese që kanë kaluar me sukses procesin e Vettingut, pasi KPK shkarkoi anëtarët Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, ndërsa dha dorëheqjen Besnik Imeraj. Vitore Tusha ishte edhe propozim i Presidentit të Republikës, pak ditë për parë për të qenë kryetare e KLSH-së. Mirëpo, me lëvizjen e djeshme të Gjykatës Kushtetues, janë rrëzuar planet e Metës.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është institucion i ri, i cili krijohet për herë të parë, do të ushtrojë rolin kryesor në emërimet në sistemin e drejtësisë. Përgjegjësitë kryesore të KED do të jenë vlerësimi i përmbushjes së kushteve e kritereve ligjore, profesionale dhe morale nga kandidatët për emërimet në gjithë sistemin e drejtësisë. KED do të përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët shërbejnë për një mandat 1- vjeçar, nga 1 janari më 31 dhjetor të vitit përkatës.
Shkresa e Metës drejtuar Kuvendit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dërguar një shkresë Kuvendit ku i argumenton propozimin e tij sa i takon emrit që do të zëvendësojë Bujar Leskajn në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Meta ka propozuar Vitore Tushën si kandidatë. Por mes të tjerash në argumentet e tij drejtuar Kuvendit, Meta ka vënë në dukje faktin se zonja Tusha është një kandidate e denjë për KLSH, kjo edhe për faktin se zonja Tusha nuk ka okupime që e pengojnë, pasi nuk është më anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
“Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe te nenit 19 pika 2, te ligjit nr.154/2014 “Per organizi11in dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, me Dekretin nr. I 0929, datë 05. I 1.20 I 8, ka vendosur që Znj. Vitore Tusha t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duke mirëpritur shprehjen e interesit prej saj dhe duke zgjedhur një kandidaturë si Znj.
Vitore Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë se këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues”, thuhet në shkresën e Metës. Por kjo lëvizje ka sjellë edhe një përplasje, ku nga njëra anë është Presidenti Meta që pretendon se zonjës Tusha i ka përfunduar mandati dhe nga ana tjetër Gjykata Kushtetues që pretendon krejt të kundërtën duke propozuar zonjën Tusha për anëtare të KED./Sot