Dy ditë pas arritjes së marrëveshjes për formimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut mes Ali Ahmetit dhe Zoran Zaev, ka reaguar ditën e djeshme edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale vlerëson këtë vendim për të formuar një qeveri me bazë të gjerë edhe të përfaqësimit shqiptar, ku ndër dikasterët më të rëndësishëm që do të drejtojnë janë Ministria e Jashtme, kryetari i Parlamentit dhe 100 ditët e fundit të qeverisë që do të udhëhiqen nga një përfaqësi shqiptare në postin e kryeministrit.
Sipas Metës, kjo marrëveshje është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave, teksa thekson zgjedhjet demokratike që u zhvilluan në vendin fqinj, ndërkohë që ka edhe një mesazh e kërkesë të fortë për aktorët politikë në vendin tonë.
Kreu i shtetit e ka shfrytëzuar këtë ngjarje për të hedhur kunja për mazhorancën, ndërsa thekson se politika shqiptare duhet të mësojë nga politika maqedonase dhe të kthehet në shina sa më parë. “Finalizimi i marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.
Rritja e përfaqësimit të faktorit shqiptar në qeverisje, përfshirë dhe mundësinë e kryeministrit shqiptar në të ardhmen, është tregues europianizues dhe vitalizues për forcimin e bashkëjetesës. Pas zgjedhjeve demokratike dhe konkurruese, fqinji ynë ecën me siguri të merituar për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera”, shkruan presidenti Ilir Meta.
Kujtojmë që ky reagim i kreut të shtetit, Ilir Meta vjen, pasi dy ditë më parë dy partitë në Maqedoninë e Veriut, LSDM-ja dhe BDI-ja arritën marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik. Zoran Zaev nga LSDM-ja dhe Ali Ahmeti nga BDI-ja krijuan koalicionin, i cili nxjerr si kryeministër të vendit Zaevin.