Shtohen presionet e LSI dhe të presidentit Ilir Meta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha. Më 25 prill votohet për Parlamentin e ri dhe situata në kampin opozitar nuk është fort e mirë.
Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor u hoqën koalicionet dhe tani opozita duhet të vendosë se çfarë strategjie do të ndjekë: do të hyjë me një listë të përbashkët kandidatësh apo me disa lista. LSI dhe aleatët e tjerë në çdo dalje po i dërgojnë mesazhe Bashës që të vendosë sa më shpejt, por lideri i PD i ka lënë në ankth prej disa javësh. Nga ana tjetër duket se në valle është futur dhe Presidenti Meta, i cili po punon paralel me partinë e tij.
Pak ditë më parë ai largoi Bahri Shaqirin nga posti i këshilltarit për sigurinë, por e gjitha duket se ka qenë një plan shumë më i thellë. Disa televizione pranë presidentit pak kohë më parë hodhën si lajm që nëse PD-LSI të fitojnë zgjedhjet më 25 prill, Meta do japë dorëheqjen dhe është gati të bëhet ose kryeministër ose ministër i Brendshëm.
Vetë Basha ia bëri të qartë se posti i kryeministrit nuk negociohet, ndërsa nga ana tjetër e ka shmangur presidentin duke mos lejuar që ai të marrë rolin e kryeopozitarit. I ndodhur në këto kushte, Meta ka futur në lojë Bahri Shaqirin, i cili synohet që të jetë krahu i djathtë i presidentit në LSI e qeveri.
Një media shumë pranë presidentit e ka treguar hapur se kush janë qëllimet e tij. Bahri Shaqiri do të kandidojë si deputet në zonën e Shijakut dhe sipas kësaj medie, ai do të jetë ministër kyç në qeverinë “Basha”. Kjo media lë të nënkuptohet se Meta po i kërkon Bashës që Bahri Shaqirin ta bëjë ministër të Brendshëm. Sipas saj, kur ai të jetë në qeveri do të nisë me arrestime shumë të bujshme, duke çuar mesazh kërcënues dhe në drejtim të mazhorancës se do të ketë arrestime.
Ndarja e qeverisë
Ajo që bie në sy është se jemi 6 muaj para zgjedhjeve dhe LSI duket se kërkon të ndajë qeverinë. Edhe pse qeveria ndahet në bazë të votave dhe mandateve që merr secili subjekt, duket se nuk po ndodh kështu me partinë e presidentit.
Vetë Basha në disa intervista e ka shmangur kreun e shtetit duke u shprehur se është shumë herë të vendoset sa i takon qeverisë dhe koalicioneve, por ditët e fundit po jepen sinjale se LSI ka nisur presionet dhe do pjesën e vet në ekzekutiv. Sa i takon listës së kandidatëve PD duket e vendosur që të shkojë e vetme në zgjedhje dhe LSI të dalë po më vete.
Futja e LSI në një listë të përbashkët shihet me rrezik nga Basha, pasi kandidatët e LSI do të përfitojnë nga vota e demokratëve. Në PD ka shumë nga ata që nuk e duan LSI dhe nëse shkohet me listë të përbashkët kjo mund të sjellë penalizim.
Apelet e Ramës
Nga krahu tjetër kemi kryeministrin Edi Rama, i cili pak ditë më parë i dërgoi mesazhe të qarta kryedemokratit Basha, ku e paralajmëroi se aleanca me LSI do të jetë e vështirë. Sipas tij, LSI kërkon pjesën e vet. “Sot nxjerrin një dhëndër për ta prezantuar aty, por kur të vijë dita pastaj del Monika. Do thonë ju marrëveshjet për këtë i keni bërë, por prit se mblesit jemi ne.
Dhe do pjesën ajo, ju e dini sa e ka pjesën Monika, e keni parë në Fier. Dhe për më tepër deri dje sidoqoftë kishte një lloj kallaji dhe sidoqoftë pavarësisht të tërave ishte e mundur të bashkëpunoje me Ilir Metën dhe me ndërmarrjen e tij, sot nuk ka më asnjë mundësi. S’ka asnjë mundësi.
Sot është një ndërmarrje e degraduar, e dalë boje komplet, e ndarë mes njërit që duhet të bëjë presidentin dhe në fakt bën sekserin e asaj ndërmarrje dhe një tjetre që duhet të jetë Zonja e Parë e vendit dhe në fakt bën menaxheren e ndërmarrjes. Dhe e gjithë ajo që përfaqëson në Kushtetutë në të drejtë dhe në zakon Institucioni i presidentit, është kthyer në një komedi të madhe. Për të qarë dhe për të qeshur”, tha Rama pak kohë më parë.