Vendosmëria e mazhorancës socialiste dhe vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për ta shkarkuar nga detyra e Presidentit të Republikës, duket se ka trembur Ilir Metën.
Prej disa kohësh Presidenca dhe mazhoranca socialiste janë në luftë me njëra-tjetrën, ç’ka detyroi këtë të fundit që të ngrinte dy komisione hetimore kundër Metës. Për pasojë Komisioni “Meta 2” rezultoi fatal, pasi Ilir Meta u bë presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar.
Kuvendi miratoi në 9 qershor të këtij viti me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta për shkelje të rënda kushtetuese. Por duket se kjo gjë ka shqetësuar tej mase zotin Meta, i cili ka filluar të ndryshojë kurs dhe zbutet para mazhorancës.
Nisin sinjalet e para të paqes me Ramën
Ditën e djeshme kreu i shtetit ka kërkuar të çajë rrethin e zjarrit të shkarkimit dhe ka nisur sinjalet e para të paqes me Ramën për dekretimin e qeverisë së re. Një gjë e tillë është paralajmëruar nga Këshilltari ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj, i cili teksa ndodhej në një studio televizive i është përgjigjur pyetjes së moderatores nëse presidenti do të bëhej pengesë për dekretimin e Ramës dhe të ministrave.
Prerë dhe qartë, zoti Dervishaj kërkoi që me fillimin e sesionet të ri parlamentar, sipas tij, duhet që të ketë një frymë bashkëpunimi mes qeverisë dhe Presidencës. “Këto janë pikëpyetje pa baza, presidenti i di shumë mirë detyrat kushtetuese, i ka të mirëpërcaktuara ato dhe i ka përmendur edhe Gjykata Kushtetuese në rastin Cakaj dhe Lleshaj, e kështu nuk më duket një reagim me vend.
Presidenti do të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në mënyrat më të mira të mundshme, kemi një procedurë për shkarkimin, kemi një Parlament të përfunduar do të mbyllet Kuvendi i ri për të filluar legjislaturën. Duhet të tregojë frymë bashkëpunimi dhe luajaliteti, sipas vendimit të GJK, nëse kjo do të ekzistojë, fryma dhe nuk ka pse të krijohen kriza”, deklaroi ai.
Por kjo deklaratë e Këshilltarit ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj, tregon qartë se Ilir Meta është i frikësuar dhe kërkon një “armëpushim” me mazhorancën socialiste dhe kryeministrin Edi Rama. Nga ana tjetër, Këshilltari Ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj u shpreh se pas largimit të opozitës nga Parlamenti, PD dhe LSI, solli mungesën e cilësisë së opozitës ka treguar që mazhoranca ka qenë e nxituar dhe nuk ka shkaktuar rritje të vëmendjes së hartimit të ligjeve.
“Kontrolli dhe balanca që vetë Kuvendi kishte që janë njohës të mirë, të ligjit dhe kushtetutshmërisë, solli një lirshmëri të bërjes së ligjit. Ligjet nuk po kontrolloheshin nga ajo pjesë e opozitës, që ishte brenda Kuvendit të Shqipërisë, dhe normalisht pa një Gjykatës Kushtetuese, presidenti ka treguar kujdes në ligjet e miratuara”, u shpreh ai. Më tej Dervishaj theksoi se rasti më flagrant ishte ai i Teatrit Kombëtar. “Ligji për Teatrin Kombëtar i faktuar nga GJK. Ligjet me shumicë të cilësuar nuk mund të realizoheshin me procedurë të përshpejtuar, kjo ishte praktikë e mazhorancës”, nënvizoi Dervishaj./ Rigels Seliman