Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar i është përgjigjur sot dyshimeve të Presidentit Ilir Meta, sa i përket pajisjes së Gentian Cakajt me certifikatën e sigurisë.
DSIK sqaron publikisht se me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar në fushën e informacionit te klasifikuar “sekret shtetëror”, të NATO-s, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjen rastin të bëjë edhe sqarimet përkatëse.
Institucioni në fjalë thekson se pajisja me Certifikatën e Sigurimit të Personelit për z. Gent CAKAJ është kryer në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit në fuqi, duke respektuar detyrimet e parashikuara në Ligjin nr. 8457, datë 11.2.1999.
Nga ana tjetër, duke cituar bazën ligjore, DSIK shprehet se verifikimi është kryer i plotë dhe me përparësi.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të Presidentit, DSIK sqaron edhe procedurën si mëposhtë:
1.Verifikimi i sigurisë për z. Gent CAKAJ është kryer i plotë, me përparësi dhe në përputhje me detyrimet ligjore, parashikuar në Vendimin Nr. 188, datë 4.3.2015, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit” dhe specifikisht të neneve 11[1], 12[2], 13[3], 14[4], 17[5], 18[6], 19[7] të tij.
DSIK administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i Republikës Kosovës, (pasi z. Cakaj mban edhe shtetësinë e Kosovës, krahas shtetësisë shqiptare).
Referuar përgjigjeve të Autoriteteve Verifikuese ka rezultuar se për z. Gent CAKAJ nuk ekziston rrezik i papranueshëm sigurie për pajisjen e tij me CSP, sipas kërkesës së paraqitur nga MEPJ.
Nga procesi i verifikimit të sigurisë të z. Gent CAKAJ nuk ka rezultuar asnjë rrethanë ligjore[8], sipas së cilës DSIK ka qenë e detyruar për të kërkuar informacion shtesë, apo për të shtrirë verifikimet e sigurisë në vende të tjera si Hungaria e Belgjika, të cilat gjithsesi janë vende anëtare të NATO dhe BE.
2.Procedurat e verifikimit të sigurisë janë ndjekur me angazhim maksimal brenda afateve kohore të parashikuara në nenin 18 të VKM së sipërcituar.
Kujtojmë, se në përmbajtjen e këtij neni, ndër të tjera është parashikuar se:
“Afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit dhe lëshimit të CSP-së nga DSIK-ja është deri në 120 ditë kalendarike. Brenda kësaj periudhe përfshihen edhe afatet e verifikimit të sigurisë nga ana e autoriteteve verifikuese…..” [9] Në vijim thuhet se:
“….Autoriteti verifikues dhe çdo strukturë tjetër shtetërore, që merr kërkesën e paraqitur nga DSIK për të kryer verifikimin e sigurisë, ka detyrimin të kryejë procedurat dhe të kthejë përgjigje duke dhënë informacionin e kërkuar me shkrim, jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës”[10]
DSIK, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar, vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Autoritetet Verifikuese brenda vendit dhe strukturën homologe të Republikës së Kosovës, që kanë kryer procedurat e verifikimit të sigurisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Së fundi një sqarim plotësues, lidhur me “Certifikatën e sigurimit të personelit”.
“Certifikata e sigurimit të personelit”[11], është dokumenti zyrtar i DSIK[12], ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër, i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.
Posedimi i këtij dokumenti përben një nga kriteret[13] që duhet të plotësojë një individ, përpara se të njihet me informacionin e klasifikuar, (me përjashtim të rasteve për njohjen me informacionin e klasifikuar në nivelin “I kufizuar” që nuk kërkohet CSP).
Pra, aplikimi dhe pajisja me CSP është e detyrueshme vetëm për një individ që do të njihet me informacion të klasifikuar bazuar në parimin “nevojë për njohje”.
Nga ana tjetër, sigurimi i personelit, si një nga disiplinat kryesore të sigurimit të informacionit të klasifikuar, është një proces i vazhdueshëm dhe nuk përfundon me lëshimin e CSP. Në çdo rast, kur dalin të dhëna të reja që rezultojnë me rrezik të papranueshëm sigurie, DSIK rishqyrton vendimin e marrë.
DSIK administron dokumentacion të plotë lidhur me procedurat e ndjekura dhe informacionin e përftuar në funksion të verifikimit të sigurisë dhe të pajisjes me CSP të z. Gent CAKAJ.