Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar me titullin ‘’Mjeshtër i Madh’’ dy alpinistët e shquar shqiptarë Përparim Laçin dhe Ibrahim Haçkajn e ndjerë. Meta thotë se alpinizmi është një sfidë guximi, për njohjen e natyrës dhe forcimimin e miqësisë.
Në fjalim, Meta nuk ka harruar të citojë edhe shkrimtarin e shquar shqiptar Dritëro Agollin, duke thënë se ‘’Dy gjëra e kanë shpëtuar kombin tonë, kënga dhe malet”. Në foto shihet Ilir Meta me gotë në dorë, duke treguar se as në Presidencë nuk i ndahet pijes së tij të dashur!
Njoftimi
residenti Meta vlerëson alpinistët e shquar Përparim Laçi dhe Ibrahim Haçkaj (pas vdekjes): Të promovojmë sa më shumë sportin e alpinizmit dhe të forcojmë lidhjen e të rinjve dhe fëmijëve me natyrën dhe me malet tona të mrekullueshme. Në këtë mënyrë edhe Shqipërinë do ta njohim më mirë dhe do ta duam më shumë.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot, me anë të një ceremonie solemne, dy alpinistë të shquar, mësues të palodhur të gjeneratave të reja me vlerat më të mira sportive.
Presidenti i Republikës i akordoi Titullin “Mjeshtër i Madh” zotit Përparim Laçi “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur në sportin e alpinizmit, qitjes dhe skive. Trajner e drejtues me kontribut e vlera të mëdha në zhvillimin e këtyre sporteve në qytetin e Pukës dhe në mbarë vendin tonë. I respektuar për veprimtarinë e tij publike, sociale dhe sportive, si dhe mbrojtjen e vlerave qytetare e demokratike”.
Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekorua nga Kreu i Shtetit Ibrahim Haçkaj (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe kontributin e madh në zhvillimin e sportit të alpinizmit. Promovues i bukurisë së maleve tona, natyrës Shqiptare, si dhe kampion në pushtimin e majave të larta në botë. Mësues i palodhur për rritjen e vlerave shoqërore dhe atdhedashëse”.
Në fjalën e Tij Presidenti i Republikës u shpreh:
“Është privilegj të vlerësoj sot kontributin e madh, të dy prej figurave nga më të shquara në sportin e alpinizmit.
Të gjitha sportet kanë rëndësinë e tyre, por alpinizmi është një sfidë guximi për çdo njeri, një sport për njohjen e natyrës tonë mahnitëse, një mjet për forcimin e miqësisë dhe një trinom mes shëndetit, aventurës edhe argëtimit.
Sporti modern ka lindur kryesisht si një mjet për të zbuluar mjedisin. Shembuj sportistësh të njohur kanë zhvilluar alpinizmin, çiklizmin, krose në natyrë, kanotazhin e sporte të tjera, në fillim nga kurioziteti për të njohur mjedisin dhe më vonë me synimin për të zhvilluar dhe përsosur aftësitë fizike.
Një shembull i përhapjes dhe zhvillimit të alpinizmit është Përparim Laçi, krijues i Klubit “Tërbuni”, një figurë e spikatur e sportit në rrethin e Pukës, por jo vetëm, mjaft i njohur në mbarë vendin.
Ai gjithashtu ka krijuar një traditë të bukur në qytetin e Pukës me organizimin dhe financimin e garave kombëtare të qitjes me pjatel, me emrin ‘Kupa e Veriut’.
Përparim Laçi përmes financimit dhe pasionit të tij është bërë një nga iniciatorët e parë të nxitjes dhe promovimit të turizmit në Pukë.
I paharruari Ibrahim Haçkaj, ka qenë një nga iniciatorët e çmuar dhe të jashtëzakonshëm në ringritjen e sportit të alpinizmit të vendit tonë. Ai njihet për vlerat shoqërore, qytetare dhe atdhedashëse, që përcolli përmes Shoqatës ‘Dajti Alpino Turistike’.
Ibrahim Haçkaj gjatë gjithë jetës, inkurajoi pafund njerëzit të lidhen me natyrën dhe malet në veçanti.
Me pasionin e madh për alpinizmin, ai është ngjitur në shumë male të larta dhe të njohura nga alpinistët e gjithë botës, duke treguar pasionin dhe guximin e shqiptarëve për këtë sport.
Majat shqiptare i ka ngjitur me radhë duke u kujdesur, që mijëra të rinj e të reja, të ngjiten në to duke ju kultivuar dashurinë për malet tona.
Vlerësimet e lartë që u jepen këtyre personaliteteve, janë jo vetëm për të nderuar punën e tyre, sakrificat dhe rezultatet, por edhe për të treguar edhe mirënjohjen tonë për respektin që ata gëzojnë në mbarë komunitetet dhe opinionin sportiv.
Siç thoshte Dritëro Agolli, dy gjëra kanë shpëtuar kombin tonë, që nuk është shuajtur siç janë shuajtur kombe të mëdha në botë, kënga dhe malet. Kënga sepse ruajti gjuhën, historinë, traditat dhe transmetoi brez pas brezi edhe trimëritë. Malet, sepse na kanë pushtuar siç dihet, por jemi tërhequr në male, kemi marrë forcë edhe jemi çliruar përsëri nga pushtuesit.
Ndaj është shumë e rëndësishme, të promovojmë sa më shumë alpinizmin në kuptimin profesional, por dhe në përgjithësi lidhjen e të rinjve dhe fëmijëve me natyrën dhe me malet tona të mrekullueshme.
Në këtë mënyrë edhe Shqipërinë do ta njohim më mirë dhe do ta duam më shumë, edhe natyrën tonë, malet , luginat e lumenjtë tanë, do t’i mbrojmë më mirë se janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe që nuk i takon vetëm gjeneratës sonë, por u takon edhe gjeneratave të ardhme.
Ndaj Ju uroj të gjithëve shëndet e mbarësi dhe “Malet tona më të larta!”