Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka firmosur dekretin për emërimin e vakancës së tij të dytë në Gjykatën Kushtetuese, pas Besnik Muçit.
Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, thuhet se Meta ka dekretuar emërimin e Marsida Xhaferllarit si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me këtë lëvizje të Metës ka reaguar edhe koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi i cili shkruan me ironi se problemi i vetëm që doli sot është se pse të mos kishim edhe një Gjykatë Kushtetuese tjetër, sipas kryedemokratit Lulzim Basha.
“PSE TË MOS KEMI 3 GJYKATA KUSHTETUESE?
Hahaha. Çfarë shteti qesharak! Kishim dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese fare, kurse tani, me sa duket, do të kemi dy të tilla njëherësh. Njërën, sipas Edi Ramës, dhe tjetrën, sipas Ilir Metës.
E sigurt është se që të dyja po ngrihen për të mbrojtur interesin publik, ndaj dhe protagonistët duhen falenderuar me gjithë zemër për kontributin dhe sakrificën.
Problemi i vetëm që ka dalë është se pse të mos kishim edhe një Gjykatë Kushtetuese tjetër, sipas Lulzim Bashës. Me këtë rast, ekuilibri do të ishte i plotë, por edhe suksesi i garantuar,” shkruan Patozi.