Që këshilltari par exellanxe i Edi Ramës, Baton Haxhiu, është rreshtuar hapur pro Sali Berishës, kjo shihet prej kohësh.
Ata që e akuzonin si Stanishiqi, pra televizioni i familjes Berisha dhe vetë doktori, e ftojnë prej muajsh në mënyrë të rregullt në të gjitha talk show-t politikë. E ku Batoni, në median e tij që ka regjistruar në Tiranë, e zyrat i ka në Air Albania, që financohet prej oligarkëve, sulmon pa fre PD-në zyrtare duke llastuar Berishën, që çfarë s’i ka thënë…
Nejse kjo është vënë re prej kohësh, e është parë si një lëvizje “transversale” nga ato që bën shpesh personi në fjalë, ku kapërcen ylberin në kahun e erës.
Megjithatë, mbrëmë ai, pra njeriu që Edi Rama, i ka dhuruar fuqi e katandi, dha deklaratën e bujshme. “Erion Veliaj”, tha ai- “ka falsitet dhe probleme me karakterin. Nuk e votoj më 14 maj”. “Eureka”- Superdeklaratë, që ka lënë shumë nga ndjekësit e tij socialistë me gojë hapur, e të habitur.
Normalisht që kanë nisur në masë komentet ndaj Batonit, që këtë radhë Stanishiq nuk i thotë as Sala e as Çimi, por të majtët.
Por dilema në këtë rast është, pse Batoni e dha atë deklaratë?
Kush i dha leje ta bëjë?
A thua është shkëputur prej Ramës siç thonë shumë zëra nga mazhoranca?
Bah, vështirë, duke parë profitet pa fund që vijon t’i marrë direkt bukur si ditën e parë.
Redaksia në vend “fantazi”, reklamat po njësoj. Lidhja me Bablokun e njëjta! Atëherë? Çfarë po luhet këtu? Që diçka po luhet është krejt e qartë?
Pasi në mes të një fushate politike, një njeri i afërt me Ramën, të bëjë një proçkë të tillë, së paku do të këshillohej, e mesatarisht do të linçohej nga mediat e rrjetet e qeverisë. Por jo! Ka heshtje të plotë!
E kjo gjendje ka krijuar një ankth të madh, ku prej 24 orësh po synohet të zbulohet shkaku i fjalëve të rënda të Baton Haxhiut.
Nuk bëhet fjalë të flitet me Ramën, pasi ai e ka zët që ta pyesin për analistët, edhe pse flet nga 10 orë në ditë me disa prej tyre, e ku thonë se kryesori është Batoni.
Një mendje normale të thotë se të paktën, pas kësaj deklarate, Edi Rama do t’i lëshonte një shpoti Batonit, apo Lali do të duhej t’i përgjigjej që mbrëmë, e sot me logjikë duhet ta bënte baltë. Por s’e bëri!
Ka shumë mundësi që ai po nuhat diçka, që e ka futur në një panik, e që u pa qartësisht në deklaratën e Escobar, i cili mes rreshtave ka folur për një rokadë pushteti, për atë që SHBA nuk përkrahin individë në Tiranë.
E Baton Haxhiu, nuk e ka filluar sot këtë “performancë”, por që prej kur Ambasadorja Yuri Kim u përplas me Edi Ramën për drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.
Nëse atëherë, që u pa qartë se nuk e bënte me mendje të vet, po mbrëmë? Natyrisht që nuk ja ka mbytur kështu pa lidhje. Ka marrë leje dhe të fortë për të sulmuar Veliajn.
Synimi duket qartë në deklaratën e Edi Ramës para do kohësh ku i kërkoi Lalit të qëndrojë në stol. E ky i fundit, me gjasë nga ngulmimi i amerikanëve nuk ka qëndruar. E tani?
Sipas të gjitha mundësive ka nisur lufta civile me të gjitha bateritë brenda PS-së. Baton Haxhiu, është vetëm tellalli!/Pamfleti