Analisti i njohur, Frrok Çupi është kthyer pas në kohë, teksa ka treguara detaje rreth grushtit të shtetit të vitit 1998, i provokuar asokohe nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe ithtarët të tij.
Duke hequr një paralele mes të sotmes dhe asaj që ka ndodhur 24 vite më parë, analisti Çupi u shpreh gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, se Berisha nuk është më ai i pari.
Sipas tij, në vitin e mbrapsht 1998 Berisha përveç institucionet, synonte që të pushtonte edhe ambasadën amerikane në Tiranë, dëshirë kjo që mbetet ëndërr në sirtar, për shkak të presionit të madh amerikan që u ushtrua ndaj ish-kryeministrit. “Në vitin 1998 ka ndodhur vetëm një ngjarje tronditëse ku Shtetet e Bashkuara u detyruan të ndërhyjnë me përpikëri. Berisha kishte ngrehur luftën dhe kishte deklaruar se kishte marrë qeverinë.
Televizionin e morën dhe dhanë lajmin se ‘qeveria është në dorën tonë’. Si në Afrikën e prapambetur. Edhe disa ministri kishin rënë. Arkivolin e Azem Hajdarit e kishin futur në hollin e Kryeministrisë, duke përdorur arkivolin si ‘kokë- dashin’ në 8 janar 2021, për të thyer portën e jashtme të kryeministrisë.
Kishin kapur edhe disa tanke të Gardës së Republikës dhe po i hynin Tiranës në themel me qëllim pushtimin dhe shpalljen e Revolucionit Fitimtar. Një nga tanket ishte nisur për të sulmuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, sipas burimeve pranë Berishës”, deklaroi ai.
SHBA telefonon Berishën
Më tej zoti Çupi ka treguar edhe arsyen e madhe që zbythi Sali Berishën në vitin 1998. Sipas tij, Berishën e morën në telefon nga Uashingtoni dhe i vendosën ultimatum që të tërhiqej e mos shkaktonte dhunë. Kështu që siç thotë analisti Çupi, kjo telefonatë solli kthesën e madhe në një kohë që Shqipëria prej disa ditësh ishte në kaos.
“Kryeministri Nano kishte lënë zyrën dhe kishte shmangur gjakderdhjen.E vetmja ndërhyrje nga Shtetet e Bashkuara ishte kjo: ‘Alo, Saliu je?’
‘Po, unë jam që mos qofsha! Më gënjyen këta të mijtë!’ ‘Mirë, mirë; por mos humbim kohë…’‘Yessir’. Merr tanket, çoji në Gardë, nxirr huliganët nga Televizioni Kombëtar dhe nga kryeministria…’‘Yes, sir!’‘Now, now!… ( Tani, tani!)
Kjo ka ndodhur atëherë. Por atëherë ishte 24 vjet më parë, shtetin e kishte shkatërruar Berisha dhe e kishte gati për ta ngrënë vetë. Nuk kishte institucione. Kishte vetëm shumë huliganë dhe kriminelë rreth Berishës…, kjo ishte garancia e tij. Tani asgjë nga këto nuk ekziston. Nuk ekziston më Saliu si mundësi për luftë e terror, as për politikë. S’kanë si ekzistojnë ngjashmëritë e tjera, kur nuk ngjan as Saliu me Saliun”, u shpreh ai.
Protesta e 12 nëntorit
Ndërkohë analisti i njohur, Frrok Çupi e cilësoi protestën e thirrur nga Ilir Meta dhe Sali Berisha më 12 nëntor si dështim. “Protesta e 12 Nentorit? Askush nuk mban mend asgjë prej saj. Nuk mbeti asgjë. As ide, as projekt, as qytetari, as hijeshi, as ndonjë shpresë. U martua Hasani e mori atë që kishte.
Sali Berisha i katrafillosur që ulërin e tremb sorrat. Disa njerëz të marrë që e ndjekin në budallallëk dhe ky që i përdor si skllevër. Militantë të lodhur e të etur. Ky u thotë ‘lini shtëpitë, lini robt e shtëpisë dhe ejani në Tiranë të më dëgjoni mua si ulërij’. Ky mbaron cingërimën dhe skllevërit e kryen detyrën, kthehen nga kanë ardhur. Nga pesë mijë lek secili që u kanë premtuar ‘do t’ua dërgojë Shkëlzeni’ përmes seksioneve të Foltores. Pastaj Ilir Metaj, i cili deklaroi se tanimë nuk ka as Parti, as Liri; do t’i bashkëngjitet Berishës. Të dy kanë të njëjtin hall: SPAK, Ligji, Gjykata, Burgu. Me pak fjalë, protesta mund të përshkruhet kështu: ‘Dy parti për një kokë!’”, nënvizoi Çupi. /Gazeta “Sot”