Ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu dhe ajo e BE Romana Vlahutin organizuan mbrëmë një pritje për politikanë, zyrtarë dhe përfaqësues të medias.Darka mblodhi të gjithë përfaqësuesit politikë dhe të institucioneve me rastin e përfundimit të mandatit tre vjeçar të të dy ambasadorëve në Shqipëri.
I cilësuar si një takim lamtumire, Donald Lu dhe Romana Vlahutin bënë dhe përshëndetjen e fundit me ata të cilët kishin bashkëpunuar gjatë mandatit të tyre si përfaqësues të qeverive respektive në Shqipëri. Krerët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, jo vetëm që refuzuan të marrin pjesë në këtë takim lamtumire me ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, por tentuan përmes vonesave në seancën plenare të pengonin dhe përfaqësuesit e mazhorancës të merrnin pjesë.
Nga ana tjetër mësohet se dhe Presidenti Ilir Meta nuk ka qënë në pritjen e “lamtumirës” së Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Nuk ka ndonjë shpjegim nga Presidenca për axhendën e ngjeshur të Metës, ndërkohë që në faqen zyrtare të Presidencës por dhe në adresën e tij në rrjetin social s’kishte të pasqyruar pjesmarrje në ndonjë aktivitet tjetër dhe as në Presidencë.
Tërmeti në Gjirin e Lalzit ku ka vilën ndoshta ka qënë dhe shkaku i mospjesmarrjes së Metës në këtë pritje të ambasadorëve, pasi ka qënë i zënë me rregullimin e dëmeve. Ndërkohë që burimet nga Presidenca bëjnë me dije se ai ka qënë jashtë Shqipërisë, një sebep që gjendet shpesh për të evituar pjesmarrjen e padëshiruar.
Pavarësisht se në publik Ilir Meta dhe Donald Lu u duk sikur i “sheshuan” mosmarrëveshjet pas deklaratës publike të Llallës se ambasadori amerikan i kishte kërkuar të arrestonte ish kreun LSI dhe të Kuvendit, me sa duket çarja ka qënë shumë më e thellë.
Deklarata e paradites e Donald Lu për dështimin e arrestimit të bossit të krimit me lidhje politike Klemend Balili ka ndikuar në ftohjen më tej të marrëdhënieve mes tyre. Deklarata e ambasadorit amerikan u përforcuar nga ajo e Ramës po në të njejtin aktivitet teksa tha se Balili ishte i mbrojtur nga një parti madje dhe drejtor i saj dhe akuza e Ballës në seancën parlamentare kur tha se Klemend Balili ka qënë i PD, u bë dhe mbeti i LSI, ka acaruar situatën.
Por refuzimi që i është bërë ambasadorëve në pritjen e lamtumirës nga ana e opozitës dhe nga Presidenti, i cli është dhe bashkëshorti i kryetares së LSI Monika Kryemadhi, e ka burimin akoma më thellë.
Donald Lu, si të gjithë ambasadorët, jo vetëm të SHBA, lënë disa “shënime” për situatën politike, sociale dhe ekonomike të vendit ku kanë shërbyer atë mandat. Këto detaje janë për pasardhësin dhe janë shumë orientuese, pasi shërbejnë për kapjen e fillit të punës që në fillim nga ambasadori i ri, përpos linjës së qeverisë së tij që ndjek.
Dhe shënimi “testament” i Donald Lu për pasardhësen e tij si ambasadore në Tiranë, Kathleen Ann Kavalec nuk ka qënë fort optimist për opozitën e krerët e saj. Por me sa duket ka qënë negativ dhe për Presidentin e Republikës Ilir Meta, informacion të cilin me sa duket përmes kanaleve të ndryshme diplomatike e kanë marrë vesh.
Paraditja e ngjeshur me akuza të forta për Klemend Balilin dhe lidhjet e tij me politikën, duke nënkuptuar LSI dhe Ilir Metën, si dhe “shënimi” aspak pozitiv për të dhe opozitën të lënë për pasardhësen Kavalenc, ka irrituar opozitën dhe Presidentin. Çka përkthehet në selinë e opozitës dhe të Presidencës si një vijim i linjës së fortë dhe të ashpër të Donald Lu ndaj opozitës dhe nga ambasadorja e re e SHBA në Tiranë. E cila si një “paketë shtesë” ka dhe faktin se është një njohëse e shkëlqyer e çështjeve ruse dhe përpjekjeve të Rusisë për shtrirjen dhe dominimin e saj në rajonin e Ballkanit.
Ndërkohë që Basha dhe Meta kanë histori të dokumentuar, të certifikuar dhe tashmë nën hetim të FBI amerikane dhe Prokurorisë shqiptare lidhjet me rusët dhe financimin prej tyre, për të lobuar kundër Shqipërisë.
Të gjitha këto kanë bërë që opozita dhe Presidenti të bojkotojnë darkën e lamtumirës së ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin që përfunduan mandatin e tyre në Shqipëri. Opozita me sa duket e ka cilësuar si “darkën e gabuar” këtë pritje lamtumire të ambasadorëve të SHBA dhe BE, duke bërë që të marrin pjesë vetëm përfaqësuesti e mazhorancës e të institucioneve të tjera, përfshirë dhe ato të pavarura dhe OJF-të.
Eshtë hera e parë që ndodh një bojkot i tillë pas 20 vitesh, kur opozita e atëhershme e kryesuar nga ish presidenti i dorëhequr Sali Berisha bojkotoi ambasadoren amerikane Mariza Lino./Pamfleti