Ndërkohë që situata politike është tepër e nxehtë dhe Këshilli Politik po diskuton për Reformën Zgjedhore, presidenti Meta ka dekretuar 3 ligje të tjera.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e 3 ligjeve:
1. Ligjin nr. 52/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar”; dhe
2. Ligjin nr. 53/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”.
Të dyja këto ligje synojnë thjeshtësimin e procedurave administrative dhe ndryshimin e sistemit prej tre nivelesh të lejeve të mjedisit. Ligji sjell një rishikim të listës së bizneseve që deri më sot kishin detyrimin për t`u pajisur me leje mjedisi të tipit “C”, për ato aktivitete me ndikim të ulët në mjedis, duke ndikuar direkt në uljen e kostove për bizneset e vogla që nuk shkaktojnë ndotje të mjedisit, në varësi dhe të kapacitetit prodhues.
3. Ligjin nr. 57/2020 “Për pyjet”.
Ky ligj, i hartuar përmes asistencës së projektit “Mbi kuadrin rregullator të sektorit të pyjeve”, me mbështetjen e qeverisë suedeze, sjell një rregullim të ri sektorial për pyjet dhe përafron pjesërisht dy rregullore të Bashkimit Europian. Forcimi në terma të qartë në ligj, duke filluar nga dispozita e qëllimit të ligjit, të nevojës për mbrojtjen e pyjeve si pasuri me rëndësi të veçantë, për vlerat e mëdha dhe të pazëvendësueshme në mbrojtjen e klimës, të tokës, ruajtjen dhe përmirësimin e potencialeve prodhuese, të ekuilibrave të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve gjenetike dhe regjimit hidrik, si detyrime me interes kombëtar dhe ndërkombëtar, është për t’u vlerësuar.