Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla, ka zhvilluar dje një takim me banorët e Karbunarës në Lushnjë, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, ndërsa mes të tjerash ka reaguar lidhur me vendimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Duke folur para mbështetësve socialistë, zoti Balla shpërtheu në akuza ndaj Metës, teksa theksoi se presidenti ka probleme me leximin e Kushtetutës.
“Zgjedhjet tashmë po bëhen vit pas viti, duke rizhvilluar zgjedhjet vendore për një mandat të shkurtër 1-vjeçar edhe pse Presidenti i Republikës duhet t’i kishte thirrur këto zgjedhje në korrik apo në gusht të vitit të kaluar, por ju e dini që presidenti ynë ka probleme me leximin e Kushtetutës dhe Kuvendi ynë ka vendosur ta shkarkojë, por kjo vendimmarrje i takon Gjykatës Kushtetuese.
Këto janë zgjedhje të cilat Sali Berisha dhe Ilir Meta i thirrën, jo për t’u përballur me ne sepse me ne e dinë si dalin, por për t’u përballur me Lulzim Bashën sepse secila prej tyre duhej thirrur ne kohën e duhur. Në Shkodër zgjedhjet duheshin thirrur në gusht të 2019-ës dhe nuk u thirrën.
Përse? Pra kjo lë vend për dy beteja, beteja jonë për të transformuar Lushnjën dhe beteja e Saliut dhe Ilir Metës me Lulzim Bashën”, deklaroi ai. Më tej kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi presidentin Meta se thirri zgjedhjet e pjesshme më 6 mars për të parë sa vota merr me Berishën.
“Ata që kanë mbështetur PD-në, ata nuk e gjejnë më veten as tek Saliu që ka hyrë tek ‘Shtëpia e Ilirit’, as tek Luli që ka vjedhur shtëpinë e Saliut, sipas asaj që thotë vetë Saliu. Të dy janë të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me të shkuarën. Unë nuk dua që demokratët e Lushnjës të japin votën.
Këto zgjedhje në 6 mars, Ilir Meta i thirri jo për të respektuar Kushtetutën, se sipas rregullit zgjedhjet do ishin bërë verën e vitit të kaluar. Këto zgjedhje u thirrën për të parë se sa vota ka Saliu dhe Iliri bashkë, dhe sa ka Luli se di me kë do jetë. Unë e them troç”, nënvizoi Balla. /Sot