Si është e mundur që kjo gjeneratë e re pranon të mbetet peng i gjeneratës që bashkë me ëndrrat e prindërve të tyre, është e gatshme t’u grabisë edhe ëndrrat e fëmijëve të tyre?
Shkruan Afrim Krasniqi
E thënë shqip nga diplomati – hero i vitit 1999, William Walker: një mesazh që vlen për Kosovën dhe liderit e saj, aq sa vlen për Shqipërinë dhe liderit e saj.
Si është e mundur që shoqëri si tonat mbeten 20-30 vjet peng të 2-3-4 emrave, i riciklojnë ata, i votojnë ata, nënshtrohen para tyre, sundohen prej tyre?
Brezat që lindën në vitet 1997-1999 janë sot votuesit që përcaktojnë fituesit politikë në Tiranë e Prishtinë.
Si është e mundur që kjo gjeneratë e re pranon të mbetet peng i gjeneratës që bashkë me ëndrrat e prindërve të tyre, është e gatshme tu grabisë edhe ëndrrat e fëmijëve të tyre?
Shikoni si “grinden”, ndërsa bëjnë sikur flasin për politikë, shtet, ndarje pushteti, ligj, tani janë bërë edhe patriotë të madhej, – kur në fakt ata kanë qenë e janë konsensualë në ndarje pushteti e abuzim me të, kanë qenë e janë bashkë në grabitjen e pronës publike dhe me listën e oligarkëve mbështetës, kanë qenë e janë konsensualë në barrierat kundër zgjerimit të demokracisë në parti, në politikë dhe në shoqëri, – kanë qenë e janë konsensualë në amnistimin e njëri tjetrit dhe kundër demokracisë funksionale apo shtetit të së drejtës, kanë qenë e janë në unison kundër ideve liberale dhe çdo proteste jopartiake, kanë qenë bashkë e janë marrë vesh në vizionin e tyre për kulla shumëkatëshe, vila tek Gjiri i Lalzit /Germi apo “Bllokun” e ri rreth Tiranës apo Prishtinës, kanë qenë e janë konsensualë në trajtimin e pushtetit si pronë private, të shtetit si pasuri familjare, të kritikëve si armiq dhe të ikjes pa kthim nga vendi si lehtësim nga votuesit kundër.
Ndaj Walker, dhe shumë të tillë miq realë të shqiptarëve në Perëndim me mendime të njëjta, kanë plotësisht të drejtë dhe duhet dëgjuar e lexuar për të reflektuar, në Tiranë e në Prishtinë.