Qeveria shqiptare miratoi dje dy vendime lidhur me kthimin e kompensimin e pronave të ish-pronarëve në Republikën e Shqipërisë. Lajmi u dha për mediat nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ai njoftoi se këto vendime janë bazuar në vendimet e mëparshme të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.
Sipas këtyre vendimeve, ish-pronarët që kanë bërë kërkesë për kthimin fizik të pronës së marrë në të kaluarën, do t’u kthehet menjëherë në rast se nuk ka zaptime. Për ata që kanë zaptime me objekte të tjera, do të kompensohen sipas niveleve, minimalisht 10%. 2 Vendimet e Këshillit të Ministrave janë publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Rreth 6900 qytetarë do t’u shqyrtohen dosjet për kompensimin e pronave. Ky proces do përfundojë në 31 dhjetor të vitit të ardhshëm.
Manja: Kompensim për pronat me ndërtesa informale ose që do përdoren për interes publik
I pyetur nga mediat, Manja saktësoi se kompensimi do bëhet për ata ish-pronarë, në sipërfaqet e pronave të të cilëve janë ndërtuar objekte informate, ose që do të përdoren për interes publik, bazuar në vendimet e GJEDNJ dhe Gjykatës Kushtetuese. “Me këto dy vendime, çdo ish-pronar që ka një kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ose do të bëjë kërkesë për njohjen e të drejtës së pronës dhe që prona është e lirë, i kthehet fizikisht siç e ka pasur në momentin kur është konfiskuar nga shteti. Pra, prona e lirë e ish-pronarëve kthehet pa kufizime. Ndërsa, për ata ish-pronarë prona e të cilëve është zënë me ndërtime informale apo që do të përdoret për interes publik, do të ketë një masë shpërblimi financiar sipas metodologjisë dhe udhëzimit që është certifikuar edhe në Gjykatën e Strasburgut, por edhe nga Gjykata jonë Kushtetuese”, deklaroi fillimisht Ministri i Drejtësisë.
Procesi i kompensimit, Manja: 10.1 miliardë lekë për 20 mijë shpronësime
Për sa i përket procesit kompensimit të pronave të ish-pronarëve, ministri Manja shtoi se janë mbyllur 20 mijë çështje, nga të cilat 974 janë likuiduar. Vlera totale e kompensimit të tyre ka arritur vlerën 10.1 miliardë lekë. Ndërkohë, procesi i vlerësimit të kompensimit të pronave për 6900 persona të tjerë do të nisë së shpejti, me afat përfundimtar 31 dhjetorin e 2024-ës.
“Në vitin 2013 kur ne erdhëm në qeverisje gjetëm rreth 26.900 vendime që ishin lëshuar nga komisionet e mëparshme të kthimit të pronave dhe sot që flasim për rreth 20 mijë vendime ne kemi bërë edhe vlerësimin financiar të këtyre vendimeve me një vlerë prej rreth 101miliardë lekë (10.1 miliardë lekë). 974 nga këto vendime që kanë qenë për efekt të kompensimit financiar janë likuiduar. Për pjesën tjetër të këtyre vendimeve, për të cilat ka një faturë financiare tashmë me krijimin e shtratit të duhur ligjor, do të fillojmë me procesin e kompensimit”, tha Manja.
Pjesë nga 2 VKM-të, kur ka mbivendosje të pronave, palët e zgjidhin mes tyre
Në rastet kur evidentohen mbivendosje të pronave të pretenduara për njohje dhe kompensim, ATP-ja vijon procedurat për njohjen dhe kompensimin e pronës për pjesën që nuk ka mbivendosje. Palët mund të zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri-tjetrin
Sa do jetë vlera e kompensimit? Ja rastet
Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me diferencën që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim.
Ç’ndodh me kompensimin kur ndryshon zëri kadastral?
ATP-ja, kur ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht se në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me 10% të diferencës që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim.
Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10% e vlerës së pronës së llogaritur sipas kësaj pike, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10% të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral aktual.