Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përgënjeshtruar lajmin se po planifikon të blejë vilë në Palasë.
Lajmin e ka bërë të ditur gazeta e njohur italiane, Corriere della Sera.
Sipas gazetës, Meloni është shprehur e tronditur nga lajmi i rremë dhe lehtësia me të cilin u përhap ai.
“Nuk është absolutisht e vërtetë. Si mund të jepen si lajm gjërat që nuk i kam menduar asnjëherë”, është shprehur kryeministrja italiane, citon gazeta.
Pak ditë më parë gazeta Il Foglio publikoi një artikull sipas të cilit kryeministrja italiane po blinte një vilë me pishinë në bregdetin e Palasës.
Sipas gazetës, e cila i referohej burimeve politike dhe diplomatike nga Tirana, investimi i Melonit do të çimentonte edhe më tej marrëdhenien e saj me Edi Ramën.
Lajmi u përcoll edhe nga shumë media të tjera duke u lidhur edhe me ndërtimin e Qendrave të Emigrantëve në Shqipëri, zemra e rrahjes së marrëveshjes së arritur me Edi Ramën. Me pak fjalë, blerja hipotetike e vilës në Shqipëri do të ishte (edhe) një lloj favori nga Meloni për Ramën (ose anasjelltas). Por sipas Corrieres të gjitha këto janë të pavërteta dhe pjesë e një fushate shpifje mbi kryeministren italiane.