Autoritetet italiane dhe shqiptare goditën nëpërmjet operacionit “Fitimet e Ëndrrave” një tjetër rast mashtrimi online nëpërmjet investimit në bursa dhe kriptovalutë.
Qendra Operative për Sigurinë Kibernetike në Friuli dhe Pordenone, me Shërbimin Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor dhe Njësinë e Krimeve Kibernetike të Policisë Shqiptare vunë në pranga 3 shtetas shqiptarë, ndërsa shpalli në kërkim 5 të tjerë për mashtrimin e 1200 qytetarëve italiane dhe zhvatjen 3 milionë euro për investime në bursa. Të ndaluarit janë: Gilbert Pushani, Elisa Caci dhe Valbona Abedinaj, si dhe u sekuestruan 2 pika “call center”-i me mbi 60 stacione pune me kompjuter bashkë me dy serverët që është lidhur.
Deri tani flitet se këtyre qytetarëve u janë marrë nëpërmjet mashtrimit 3 milionë euro, por autoritetet dyshojnë se shifra mund të jetë më e lartë. Dy prej të arrestuarve Gilbert Pushani dhe Valbona Abedinaj rezultojnë ish-pronarë të dy biznese, Pushani zotëronte një bar kafe, kurse Abedinaj një qendër menaxhimi të të dhënave. Po ashtu, pasi siguroheshin paratë, ato transferoheshin për t’u pastruar në disa vende të BE.
Detajet e skemës, operatorët u gjenin foto dhe dokumente klientëve dhe i trysnonin
Operacioni i mashtrimit nisi në vitin 2019 dhe arriti kulmin në kohën e pandemisë së COVID-19. Në total, janë kryer 90 mijë telefonata, por autoritetet italianë kanë mundur të përgjojnë 42 mijë prej tyre. Klientëve u premtohej se do të përfitonin fitime 3-fish brenda 1 jave nëse investonin minimalisht nga 250 euro për blerje të aksioneve në “Amazon”. Më pas, ata i shtynin klientët e piketuar që të bënin investime në kriptovalutën “Bitcoin”.
Kryesisht, klientët ishin familjarë italianë. Nga ana tjetër, operatorët bënin gjithçka për të fituar besimin e klientëve, aq sa në mirëbesim me ta siguronin aksesin në llogaritë bankare, kur disa prej tyre kërkonin fitime të shpejta. Por, në rastet kur klientët nuk dëshironin të investonin trysnoheshin nga operatorët e “call-center”-it, të cilët siguronin dokumente, fotografi dhe email-e të “shënjestrave” të tyre.
Jo vetëm kaq, por ata u premtonin se fitimet nga investimet në “Bitcoin” do të rriteshin në kohën kur do të futeshin në Itali vaksinat anti-COVID 19. Për sa u përket serverëve, ato ishin lidhur me sistemin “Aruba”. Nga ana tjetër, paratë e marra përdoreshin për të pastruar financiarisht të ardhurat nga aktivitetet kriminale në Qipro, Lituani, Estoni, Holandë dhe Gjermani.
Prokurori italian: Nuk kemi rikuperuar asnjë para nga ‘Bitcoin’
Për operacionin e djeshëm, u shprehën për mediat Prokurori i Pordenones, Raffaele Tito dhe Prokurori i SPAK-ut, Eneid Nakuci. Tito bëri me dije se nuk është rikuperuar asnjë para e investuar në “Bitcoin” duke theksuar se një operacion i tillë është tepër i vështirë për t’u realizuar. “Viktimat italianë arrijnë deri në 1200. Paraja nuk duhet të jetë në duart e kriminelëve. Nuk kemi mundur të rikuperojmë para. Nëpërmjet ‘Bitcoin’ është e vështirë për t’i rikuperuar këto para.
Llogaritë “non-banking”, mund të vendosen në emër të dikujt, por i përdorin të tjerë
Në vazhdim të hetimeve, Tito zbuloi se në këtë skemë mashtrimi nuk rezultojnë të jenë përfshirë shtetas italianë, por kjo nuk është përfundimtare. Gjithashtu, ai foli dhe për përdorimin e llogarive bankare “non-banking”. Shefi i akuzës së Pordenones tregoi se këto lloj llogarish bankare përdoren nga persona që nuk figurojnë se kjo llogari është vendosur në emër të tyre. Kjo mënyrë ndiqet shumë nga mashtruesit e investimeve në bursa online dhe bankat nuk janë gjithmonë në dijeni të këtyre llogarive.
Tito theksoi se këto llogari “non-banking” përdoren më shumë në Lindje. “Serveri u gjet në sistemin Aruba, italianë nuk rezultojnë të jenë të përfshirë, edhe pse ka mundësi që mund të jenë. Sepse bisedimet bëheshin në italisht dhe ka mundësi që një pjesë e tyre të jenë italianë. Por kemi besim se do t’i zbulojmë. Problemi nuk është në emër të kujt është numri i llogarisë, por kush i përdor.
Nëpërmjet ‘non banking’ unë mund të hap llogari në emër të personave të tjerë ndërkohë që është tjetër kush që i përdor. Bankat jo gjithmonë i dinë. Shumë nga këto llogari janë nga vendet e lindjes ku kontrollet janë më të vogla. Ka emra për shembull shtetas ukrainas që jetonin në Izrael, por a janë ata me të vërtetë personat që i lëviznin paratë?”, thanë prokurorët.