Mediat në Beograd raportojnë se ndërkombëtarët kanë shtuar presionin ndaj Serbisë për marrëveshjen finale me Kosovën.
Portali alo.rs shkruan se një ultimatum do të vendoset para delegacionit serb më 15 qershor, duke i kërkuar Presidentit Aleksandër Vuçiç njohjen e pakushtëzuar të Kosovës.
Kjo media, këtë pretendim e mbështet në disa burime nga qarqet e larta diplomatike. Madje, thekson se edhe vizita e përbashkët e zyrtarit të qeverisë amerikane, Matthew Palmer, dhe e përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak në Kosovë, ishte pikërisht për t’i informuar politikanët për këto zhvillime.
Alo.rs përmend edhe spekulimet e disa ditëve më parë se Greqia dhe Spanja do të rrisin nivelin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se madje do ta njohin si shtet të pavarur.
Gjithashtu, raporton se Presidenti Vuçiç ishte në dijeni se diçka e tillë po përgatitej.