Armando Broja duket se në verë do stacionohet te klubi mëmë, Chelsea. Lojtari që ka bërë mirë këtë sezon te Southampton me 9 gola në të gjitha kompeticionet, është pagëzuar si “Drogbaja i ri” nga Football London.
20 vjeçari i Shqipërisë duket se do jetë në zgjedhjet e Tuchel, që e dëshiron në ekip talentin e sulmit. Media në fjalë këshillon pronarët e rinj që të mbështesin projektin te Broja, pasi me të mund të nisë një erë e re si me Drogba.
“Edhe pse mendohet se Chelsea dëshiron të shohë nga afër më mirë Brojën gjatë verës para se të vendosë për fazën e radhës të karrierës së tij, pronarët e rinj duhet ta bëjnë prioritet që të ndërtojnë një rrugë të parefuzueshme për sulmuesin në ekipin e parë të Thomas Tuchel.
Dider Drogba drejtoi klubin e Londrës perëndimore në një epokë të re dhe sulmuesi i Shqipërisë mund të bëjë një gjë të tillë gjithashtu në një ndryshim pronësie që pritet të ndodhë shpejt.
Broja ka shënuar 6 gola në 17 ndeshje si titullar në Premier League në këtë sezon dhe shumë shpejt po siguron vendin e tij mes talenteve më të mira botërore. Paraqitjet mbresëlënëse të 20-vjeçarit nuk duhet të lënë dyshime të pronarët e rinj të Chelsea nëse ai mundet apo jo të udhëheqë sulmin e Tuchel”, shkruhet në artikullin e Football London.